Ministrja e Brendshme: E drejta për të protestuar është e paprekshme, por dhuna është e pafalshme

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka dalë në një konferencë për media lidhur me protestën e mbajtur dje nga opozita, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Deklarata e plotë e Koçiut:

Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale. E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t’i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët. Duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e papranueshme.

E drejta për të protestuar, nuk është e drejtë për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak, për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të Policisë.

Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.

Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji.

Sot, solidaritet maksimal për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes.

Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre.

Nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.

Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?