Ministrja Gjermeni për vizitë zyrtare në Finlandë

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, zhvilloi një vizitë zyrtare në Finlandë. Në dy ditët e qëndrimit në Helsinki, ministrja Gjermeni u prit nga ministrja e Pushtetit Lokal dhe e Reformave Publike, Anu Vehvilainen, ministri i Bujqësisë dhe Mjedisit (përgjegjëse dhe për strehimin), Kimmo Tiilikanen dhe drejtoresha për Europën Juglindore në Ministrinë e Jashtme, Paivi Laivola se Rosiere.

Në takimet me ministrat finlandezë, ministrja Gjermeni vlerësoi mbështetjen që qeveria e Helsinkit i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në familjen europiane.

Edhe pse  me një sipërfaqe 12 herë më e madhe se Shqipëria dhe me një popullsi prej 5,5 milionë banorësh, Finlanda po ndeshet me problemet e njëjta përsa i përket qëndrave urbane dhe zhvillimit të tyre. Sipas zyrtarëve të qeverisë finlandeze, në këtë vend prej vitesh vihet re një lëvizje e brëndshme popullate, ku jugu është zona më e zhvilluar dhe më e industrializuar.

Ministri i Bujqësisë dhe Mjedisit, Kimmo Tiilikanen, gjatë takimit me ministren Gjermeni ofroi mbështetjen për hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit si dhe në veçanti përvojën që Finlanda ka për zhvillimin e qëndrueshëm të gjithë territorit, në kushtet e migrimit të vazhdueshëm drejt qëndrave kryesore urbane.

Ai u ndal edhe në ndërtimet e banesave ekologjike dhe me eficiencë energjie, një model i mirë ky në vendin nordik.

“Në takimet me dy kolegët ministra të qeverisë së Finlandës kërkova mbështetjen dhe ekspertizën e tyre për dy çështje të rëndësishme për vendin tonë, siç është planikimi urban dhe strehimi social. Jam e sigurtë që modeli finlandez për strehimin social, për ndërtimin e banesave sociale për kategoritë në nevojë, do të jetë një model i mirë, të cilin ne mund ta përfshijmë edhe në projektligjin e ri, për programet sociale të strehimit, draftin e të cilit ne e kemi konsultuar këto javë me bashkitë, ekspertët dhe grupet e interesit.

Po kaq interes kolegët ministra Vehvilainen dhe Tiilikanen shfaqën  edhe për procesin e planifikimit si në rrafshin kombëtar dhe atë lokal, përvojë të cilen në të ardhmen do ta ndajnë me ne”, tha ministrja Gjermeni pas takimeve me dy ministrat.

Ministrja Gjermeni i ftoi për një vizitë zyrtare në Shqipëri së shpejti, ftesë e cila u mirëprit nga ministrat Vehvilainen dheTiilikanen.

SHKARKO APP