Ministrja Koçiu: Pasuritë e krimit kthehen në shërbim të komunitetit
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u shpreh sot se pasuritë e përfituara nga veprimtaria kriminale nuk do të gëzohen dhe nuk do të trashëgohen, por do të kthehen në shërbim të interesit publik.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Koçiu vuri në dukje se “para e prona, që burojnë nga droga, mashtrimi apo forma të tjera të kriminalitetit nuk janë më simbol fuqie apo privilegji, por do të rikthehen aty ku u përkasin, tek fëmijët, familjet, komunitetet në nevojë dhe viktimat e dhunës.
Qëllimi i mbështetjes financiare është parandalimi i kriminalitetit dhe rehabilitimi social, kulturor dhe shëndetësor i shtresave në nevojë, veçanërisht i personave dhe grupeve të prekura ose të rrezikuara nga krimi i organizuar, trafikimi dhe forma të tjera të kriminalitetit”, theksoi Koçiu.
Ministrja ftoi të gjitha organizatat e shoqërisë civile, të aplikojnë e të bëhen pjesë e një përpjekjeje të përbashkët, ku pasuritë e krimit shndërrohen në shpresë, mbështetje dhe zhvillim për komunitetin.
KOHA JONË SONDAZH

