Ministrja Sala nga Fieri: Nisim proces të thellë riformatimi të sistemit spitalor në të gjithë vendin
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, inspektoi Spitalin Rajonal “Memorial” në Fier, spitali pilot për autonominë financiare, ku po aplikohen modele moderne të menaxhimit, financim i bazuar në kosto reale dhe shpërblim i stafit sipas performancës.
Gjatë vizitës në ambientet e këtij spitali, ministrja Sala theksoi se autonomia spitalore përbën një shtyllë themelore të reformës në shëndetësi, pasi rrit përgjegjshmërinë menaxheriale, përmirëson përdorimin e burimeve financiare dhe krijon kushte për motivimin e stafit shëndetësor përmes vlerësimit sipas performancës.
“Spitali Rajonal “Memorial” në Fier është aktualisht i vetmi spital në Republikën e Shqipërisë që ka autonomi financiare, pra që mund të dhe menaxhojë dhe planifikojë në mënyrë autonome. Në vitin 2026 një nga prioritetet që kemi si Ministri e Shëndetësisë është që të rishikojmë në mënyrë tërësore sistemin spitalor në rang vendi, duke patur parasysh efikasitetin e shërbimeve që i japim pacientit”, deklaroi ministrja Sala.
Rishikimi i sistemit spitalor do të bazohet në analizën e zhvillimeve demografike dhe indikatorëve ndërkombëtarë të performancës, si shfrytëzimi i shtratit, qarkullimi i shtratit dhe koha mesatare e qëndrimit në spital, në transformimin dhe riorganizimin e spitaleve me bazë rajonale duke përfshirë edhe shërbime të reja, si dhe në kalimin nga buxhetimi historik në buxhetimin sipas shërbimit, përmes tarifave të bazuara në DRG.
KOHA JONË SONDAZH

