Ministrja Spiropali i përgjigjet opozitës: SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka bërë me dije ditën e sotme se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve.
Në një reagim në rrjetet sociale, teksa ndodhej në tren, rrugës për në Kiev, Spiropali i cilësoi spekulime politike deklaratat e fundit lidhur me këtë çështje.
“Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme.
E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.
Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesht“, ka thënë ndër të tjera, Elisa Spiropali.
KOHA JONË SONDAZH

