Ministrja Spiropali: Shpëtimi i hebrenjve, maja morale e historisë sonë
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Ceremonia nisi në oborrin e pasmë të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me mbjelljen e një peme ulliri, simbol i paqes, kujtesës dhe vazhdimësisë.
Në fjalën e saj gjatë këtij aktiviteti, Spiropali deklaroi se “dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, parlamentin izraelit, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit.
“Arin po, hebrenjtë jo”, ishte në vitin 1943, përgjigja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë Naziste, nga populli dhe autoritetet shqiptare. Shqipëria, ishte i vetmi vend në Europë, që përfundoi luftën me 15-fish më shumë hebrenj nga sa e nisi. Në një kohë kur edhe vende shumë më të pasura e të ashtuquajtura më të qytetëruara ranë pre e një flame totalitare që i zhveshi nga kodet njerëzore e morale, Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe mbrojtjes së të huajve e të njerëzve në nevojë”.
KOHA JONË SONDAZH

