Miqësore luksi Francë-Brazil, Dunga: Ja, pse e “gradova” Neymar kapiten!
Një komb i tërë i apasionuar pas futbollit priste që të fitonte Kupën e Botës 2014, për faktin se ky event zhvillohej në Brazil. Por askush nuk e kishte parashikuar që lojtari më i mirë, Neymar, tek i cili ishin varur shpresat do të mungonte në gjysmëfinale për shkak dëmtimi dhe më pak akoma Brazili do të kapitullonte me Gjermaninë, ku pësoi një nga disfatat më të hidhura në histori. Pas atij eliminimi të turpshëm Brazili po mendon për një të ardhme tjetër, duke ndryshuar trajnerin por edhe kapitenin. Trajneri i Brazilit, Carlos Dunga është i bindur se Neymar do të vazhdojë të rritet si futbollist dhe në një ardhme të afërt dhe ai do të udhëheqë i vetëm Selecao drejt sukseseve të mëdha.
Trajneri 51-vjeçar me rikthimin e tij në stolin e 5-herë kampionëve të Botës i dha Neymar shiritin e kapitenit, duke ia hequr atë Thiago Silvës. Sulmuesi i Barcelonës ia ka shpërblyer besimin trajnerit të tij pasi në 6 ndeshjet e fundit ka arritur të realizojë 7 gola. – “Zgjodha Neymarin si kapiten, pasi dëshiroja t’i paraqisja atij sfidën e radhës. Unë besoj se Neymar do të rrisë shumë nivelin e lojës së tij gjatë viteve në vazhdim. Ai nuk mund t'i vendosë vetes limite pasi është një futbollist me potencial të jashtëzakonshëm. Kam nevojë të punoj ende me të gjithë lojtarët pasi jam bindur se skuadra mund të rritet akoma edhe më tepër,” – theksoi Dunga.
Trajneri i Brazilit bën edhe një krahasim mes Neymar dhe Romario, pasi ky i fundit vetëm pak ditë më parë theksoi se 23-vjeçari i Barcelonës mund të parakalojë edhe Pele, në listën e golashënuesve më të mirë të Brazilit gjatë gjithë historisë. Megjithatë sulmuesi i Barcelonës përpara se të mendojë për të kaluar Pele duhet të lërë pas vetes Romarion, i cili ka realizuar 55 gola me fanellën e Selecaos. Neymar aktualisht është ndalur në kuotën e 42 finalizimeve. – “Është e vështirë t’i krahasosh ata. Romario ka qenë një sulmues i shkëlqyer, por Neymar që në fillimet e karrierës së tij ka treguar se çfarë është i aftë të bëjë. Ai e driblon kundërshtarin me një lehtësi të jashtëzakonshme dhe di të realizojë gola në vazhdimësi,” – shprehet trajneri i Brazilit.
Dunga, si kapiten udhëhoqi Brazilin drejt fitimit të kampionatit të katërt Botëror, në vitin 1994. Ai kujtoi edhe finalen e humbur nga Selecao me rezultatin 3-0 ndaj Francës, në vitin 1998. Pikërisht ndaj Francës, plot 5 herë kampionët e Botës do të përballen sërish këtë të enjte në një takim miqësor që do të zhvillohet në stadiumin ku u luajt finalja e famshme e Kupës së Botës 98’, “Stade de France”. – “Mendoj se ndeshja (finalja 98’) do të ishte më tepër e ekuilibruar nëse Ronaldo (fenomeni brazilian)nuk do të kishte atë problem. Megjithatë nuk duhet harruar as fakti që Franca luante në shtëpi dhe ishte më e motivuar se ne për të bërë rezultat. Ata kishin në skuadër lojtarë me përvojë të madhe dhe ishin më të freskët. Franca e vitit 1998 ngjasonte shumë si skuadër me Brazilin që u shpall kampion Bote në 1994-n” – theksoi Dunga, teksa Zidane në atë finale shkëlqeu dhe udhëhoqi vendin e tij drejt trofeut të parë të Kupës së Botës. Brazili shkoi edhe në finalen e vitit 2002 dhe fitoi me Gjermaninë trofeun e fundit të Kupës së Botës, por nuk e ka prekur më finalet në turnetë e fundit. Pikërisht, miqësorja ndaj Francës dhe më pas ndeshja e ardhshme me Kilin, do të jenë testi më i mirë për Brazilin, para se të pretendojë suksesin e munguar në turneun e ardhshëm të Kupës së Botës, “Rusi 2018”