Miratohen investimet e OSHEE, 50 milionë dollarë për 2015-ën
Enti Rregullator i Energjisë miratoi dje planin e investimeve për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në vlerë rreth 50 milionë dollarë për vitin 2015. Shkresa me firmën e kreut të ERE-së, i hap në këtë mënyrë rrugë nisjes së investimeve, kryesisht në blerjen e matësve të rinj si dhe në rrjetin elektrik, sidomos te kabllot, etj. Kujtojmë sakaq se ky plan aprovohet në një kohë kur sistemi elektrik në vend vuan nga mungesa e gjatë e investimeve konkrete në rrjetin e shpërndarjes. Gjithashtu, të dhënat tregojnë se mbi 80% të rrjetit është me vjetërsi mbi 35-40 vjeçare. Sistemet e matjes janë të dëmtuar, kabinat e shkatërruara, kurse linjat paraqiten të amortizuara. Konkretisht, nga 171 nënstacione, 154 prej tyre janë ndërtuar para 38 vitesh. Kurse nga 45 mijë kilometra linjë shpërndarje, 41 mijë kanë “moshë” 35 – 40 vjeçare. Ndërsa nga 25 mijë transformatorë, 20 mijë kanë një “moshë” 34-vjeçare, sqarojnë gjithashtu burimet pranë OSHEE-së. Për të shtuar edhe se nga 24600 kabina elektrike, 20 mijë janë ndërtuar para 35 vjetësh. Që të gjitha këto, shifra të cilat faktojnë domosdoshmërinë dhe nevojën akute të realizimit të investimeve të reja nga operatori i shpërndarjes së energjisë. Kurse në lidhje me situatën financiare të kompanisë në fjalë, burimet zyrtare të saj konfirmojnë se të ardhurat për vitin 2014 u rritën me afro 100 milionë dollarë. Konkretisht, sipas tyre në vitin 2013 ishin mbledhur 38.4 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2014 u realizuan në 49.1 miliardë.
Dhe sa u takon humbjeve vjetore në sistemin e shpërndarjes, ato janë reduktuar me 16% krahasuar me të njëjtin tregues të një viti më parë. “Nga 45.04% në vitin 2013, mesatarja e vitit që sapo mbyllëm arriti në 37.81%”, citojnë burimet.
SITUATA
Problemet reale – Domosdoshmëri investimesh
• Nga 171 nënstacione, 154 prej tyre janë ndërtuar para 38 vitesh
• Nga 45 mijë km linjë shpërndarje, 41 mijë kanë “moshë” 35 – 40- vjeçare
• Nga 25 mijë transformatorë, 20 mijë kanë një “moshë” 34-vjeçare
• Nga 24600 kabina elektrike, 20 mijë janë ndërtuar para 35 vjetësh