Miratohen udhëzimet e reja për tarifat përmbarimore, shtetërore dhe private

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë miratuar udhëzimet e reja për tarifat përmbarimore, bazuar në ndryshimet me konsensus që i janë bërë Kodit të Procedurës Civile dhe ligjit për përmbarimin gjyqësor privat dhe shtetëror në fund të vitit 2016. Miratimi i këtyre udhëzimeve ishte i detyrueshëm, për shkak të afateve që parashikonte ligji (1 muaj nga hyrja në fuqi e tij) dhe nevojës për të zbatuar rregullat e reja të tarifimit që parashikonin ndryshimet konsensuale në ligj.

Udhëzimet në fjalë kanë qenë një praktikë e mbartur në Ministrinë e Drejtësisë/Ministrinë e Financave dhe i janë nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi, duke filluar nga muaji Janar 2017 e në vijim. Këto udhëzime janë nënshkruar për herë të parë në versionin e miratuar, nga Ministri i Drejtësisë më datë 13 Prill 2017.

Krahasuar me tarifat e përcaktuara në vitin 2009, nga 9 nivele tarifimi, tre prej tyre kanë mbetur të pandryshuara apo janë ulur; 5 tarifa kanë pësuar rritje dhe 1 tarifë është reduktuar në vlerë kufiri.

Përcaktimi i nivelit të tarifave në Udhëzimin e ri, është bërë duke marrë në konsideratë ndryshimin e çmimeve të konsumit, të prodhimit apo të importit dhe janëkushtëzuar nga indeksimi i çmimeve të çdo elementi jetësor nga vitit 2009 deri më sot, si dhe janëpërcaktuar duke mbajtur në konsideratë tarifat që përdorin edhe profesione të tjera të lira (Noteria). Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave, në përcaktimin e nivelit të tarifave, ka kryer një analizë të plotë dhe të detajuar financiare dhe profesionale të punës që kryen përmbaruesi, duke marrë në konsideratë elementët që parashikojnë ndryshimet që i janë bërë ligjit, dhe konkretisht vlerën dhe llojin e detyrimit, si dhe kompleksitetin e veprimit procedural përmbarimor.

Tarifat e reja pritet të nxisin ekzekutimin vullnetar të detyrimeve, duke zeruar në këtë mënyrë kostot për ekzekutimin e titujve ekzekutiv për qytetarët dhe bizneset. Në ccdo rast, sipas ligjit, tarifat përmbarimore edhe pse parapaguhet nga kreditori, nuk i ngarkohet këtij të fundit, por i vilet debitorit sëbashku me detyrimin.

Në mbrojtje të interesave të grupeve në nevojë, udhëzimet e reja kanë zgjeruar kategorinë e personave që përjashtohen nga pagesa e tarifës përmbarimore, duke çliruar nga detyrimi për të paguar të gjithë personat që janë  në kushtet e paaftësisë paguese, që trajtohen me ndihmë ekonomike apo që përfitojnë nga ligji për ndihmën juridike falas.

SHKARKO APP