Miti i trenit të zhdukur nazist të mbushur me flori

Një grup personash të apasionuar pas historisë në Poloni kanë vendosur të ndërtojnë një tren të ngjashëm me atë nazist, i cili u zhduk pasi u mbush me florinj. Kërkimet për këtë të fundit ende nuk kanë dhënë rezultat. Por së fundmi, ndërtuesi Slawomir Suchorowski bashku me grupin e tij menduan se tashmë kishte ardhur koha ta merrnin vetë në dorë mitin e trenit nazist.

Ata nisën punimet për imitimin e trenit të blinduar gjerman brenda një ish-fabrike në Gluszyca, rreth 15 km larg Walbrzych. Në këtë zonë po kryhen kërkimet për trenin origjinal, pavarësisht të dhënave kontradiktore mbi ekzistencën apo vendndodhjen e tij.

“Idea erdhi nga kërkimet e gjata nga eksploruesit në Walbrzych për trenin legjendar të mbushur me flori, por që fatkeqësisht nuk po gjendet. Kështu vendosëm të ndërtojmë një tren në shkallën 1 me 1 dhe deri më tani puna ka qenë e suksesshme. Kemi ndërtuar vagonin e parë të blinduar dhe më pas do të bëjmë edhe 3 të tillë, e gjithashtu lokomotivën”, tha Suchorowski.

Edhe ish-fabrika ku po ndërtohet treni u ka shërbyer nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Kur të jetë gati, e gjithë zona do të kthehet në një atraksion turistik, në përpjekjen për të rigjallëruar popullaritetin në vend.

Treni imitim është 12 metra i gjatë, trupi i tij përbëhet nga laminati, ndërsa rrotat nga çeliku. Që të duket si autentik, ai ka nevojë edhe për një shtresë boje.

Sipas burimeve historike, treni origjinal u ndërtua në vetëm 3 javë në vitin 1945, me pjesë të marra nga automjete të ndryshme në një fabrike të Vroklavit të sotëm. Ai ishte i pajisur me dy armë automatike dhe një stacion radioje. Në të operonin 100 punonjës hekurudhash dhe ushtarë. Pavarësisht informacioneve të detajuara për ndërtimin e tij, ekzistenca e trenit nuk është konfirmuar plotësisht dhe fatit i tij pas luftës mbetet një mister. /BW/

SHKARKO APP