Mitroja sipas Mitros

Në vitin 1948, kur Partia e Punës bënte Kongresin e saj të parë, bashkëshortët Çela, lindën Mitron, si fëmijën e tyre të 11. Për kureshtarët: në bashkëpunim bënë 13 fëmijë. Unë pata fatin të dal i 11-ti. Në vitin 1971 përfundova Fakultetin Ekonomik. Më emëruan në Bankën e Krujës. Mirëpo të lë fati! Na u sëmur, në pragun e Vitit të Ri, Sokol Olldashi, nipi i Dashnor Mamaqit, në atë mot kryeredaktor i “Zërit të popullit”. Djali i sëmurë, përfundoi në duart e vëllait tim, doktorit me emër, Polikron Çela. Kështu vajta edhe unë në gazetë. Që mos ta zgjatim… më thanë se ke talent të brendshëm. Kuptohej: Duhej më shumë talenti i vëllait tim. Pas 15 vjetësh, kur mendoja se më kishte shpërthyer talenti, më dënuan për 40 kuintal reçel fiku, dhe për një kallo që kishte në këmbë Vangjel Çerava, Sekretar i Partisë së Punës, dhe që unë ia shkela, jo se isha ndonjë disident, por se nga puna më ishte dobësuar shikimi!

Organizata-bazë e partisë me votim të hapur, vendosi 100 përqind të përjashtohesha nga shtypi. Komitetit Qendror e zbuti dënimin. Më dërguan të punoja si gazetar një vit në Elbasan, për llogari të gazetës “Bashkimi”. Kur mbusha vitin, më thanë nuk je edukuar tamam. Mirëpo të lë fati! Na u sëmur një mbesë e Shefit të Shtypit në KQ të Partisë. Duhej përsëri Doktori! Polikroni de! Kur u ktheva në Tiranë, më bënë shef. Pata vetëm një vartës: Filip Çakulin. Më 12 dhjetor 1990 u zgjodha në Komisionin Nismëtar të PD-së. Duke qenë një nga themeluesit e PD-së, domosdo nisa punë në gazetën “RD”. U bëra edhe kryeredaktor. Zëvendës zgjodha Filipin. Pata një lajthitje: e doja gazetën të pavarur?! Me të drejtë, më vunë fshesën. Në mars të ’91-shit, u bëra politikan profesionist! Lashë penën për kolltukun e deputetit. De more de! Deputet në tri legjislatura. Në vitin 1991 në Tiranë. Në vitin 1992 në Patos. Kur u bë qeveria Meksi, në qershor 1992, më ofruan kolltukun e Ministrit të Turizmit. Nuk pranova, sepse balta e fshatit tim nuk bëhet “poçe”. Më thanë të shkoja ambasador në Romë. Edhe pse fitova mërinë e Ezmerkës, përsëri thashë “JO”!

Në zgjedhjet e 26 majit 1996 isha i 42-ti në listë. Në atë vit, falë bojkotit socialist, lista e deputetëve të PD-së u zgjat e u bë tërkuzë. Fitova edhe unë!…Ndenja plotë 6 muaj! Nuk kisha ndërmend të largohesha! Na përzunë të gjithëve. Ika edhe unë. Sipas Europës me zgjedhje të pranueshme. Sipas kandarit tim: me kryengritje! Ku na ngeci muhabeti? Tek të ndenjurat mbi kolltuk. Për herë të katërt mbeta jashtë dyerve të Parlamentit. Kjo ndodhi në vitin 2005. Vura kandidaturën për deputet në Përmet. Humba. Harram! Nuk është keq të jesh deputet!

Kur mbeta “thatë”, thashë t’i kthehem zanatit të vjetër: Të fabrikoj llafe. Me këtë filozofi, kam botuar artikuj në “Koha Jonë”, “Tema”, “Metropol”, “Sot”. “Shqip”, “Ballkan”, “RD” dhe revistat “Spektri” dhe “Shije”. Me këtë lëndë të parë, kam botuar katër libra publicistike. Së pari, “Kronikë e një politikani të dështuar”. Së dyti, “Mes Kosovës dhe Epirit”. Së treti, “Haberet e Mitros”. Së katërti “Me Filipin”. Pardon! Në vitin 2007 Berisha përsëri më propozoi të bëhesha diplomat. Ambasador, de! As pranova e as i tregova Ezmerkës! Kur u lodha së shkruari në gazeta, përfundova këshilltar i Filip Çakulit në “Fiks…Fare”…Kusurin, kush ka bakërr në kohë, mund ta mësojë duke lexuar haberet në Facebook…

SHKARKO APP