Mjerimi seksual i botës arabe
Nga Kamel Daoud – Pas «Tahririt» erdhi Këlni. Pas sheshit, seksi. Revolucionet arabe në fillim ngritën entuziazmin më 2011, por ai kaherë është shuar. Dhe tani u pa që ato lëvizje nuk ishin të përsosura, madje ishin të shëmtuara: veç për një gjë, sepse kanë dështuar të prekin idetë, kulturën, religjionin ose normat sociale, veçanërisht normat që lidhen me seksin. Revolucion nuk nënkupton modernitet.
Sulmet ndaj grave perëndimore prej emigrantëve arabë në Këln, Gjermani, në natën e ndërrimit të moteve na kujtojnë poshtërimin e grave në vetë sheshin «Tahrir» në ditët e kulmit të revolucionit egjiptian. Kjo çka ndodhi në Gjermani i ka bërë njerëzit në Perëndim ta marrin vesh një prej mjerimeve që ka pllakosur shumicën e të ashtuquajturës botë arabe, dhe botën myslimane në përgjithësi. E ai mjerim lidhet me raportin me femrat. Në disa shtete, femrat i mbulojnë, i gurëzojnë ose i vrasin; në cilindo rast, ato fajësohen pse nuk mund të ndërtohet një shoqëri ideale. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj, disa vende evropiane kanë ndërmarrë nisma për t’iu mbajtur leksione emigrantëve e refugjatëve si të sillen me femrat.
Seksi është tabu e ndërlikuar, që po ngritet në vende, si Algjeria, Tunizia, Siria ose Jemeni, prej kulturës patriarkale konservatore, kodeve të reja të serta të islamikëve dhe puritanizmit diskret të socializmave të shumtë. Dhe ky është një rast i mirë që prej këtij kombinimi për fajësinë të flitet për këtë çështje të margjinalizuara. Megjithatë kjo shtytje për diskutim është larg krahasuar me atë të kohës së artë myslimane, qysh kishte bërë sheiku Nafzavi.
Sot seksi është një paradoks i madh në shumë vende të botës arabe: ta merr mendja sikur ekziston ky paradoks dhe prapëseprapë përcakton gjithçka që nuk thuhet. Duke e mohuar, ndrydhet në mendjet e të gjithëve. Megjithëse femrat janë të mbuluara, janë bërthama e lidhjeve, muhabeteve dhe shqetësimeve tona.
Femrat janë temë e kohëpaskohshme në diskursin tonë të përditshëm, për shkak se ajo çka personifikojnë – për punën e burrërisë, nderit, vlerave të familjes – janë vlerë jashtëzakonisht e madhe. Në disa shtete, u lejohet të kenë qasje në sferën publike vetëm nëse mbulojnë trupin: Nëse ato do të lejoheshin të dilnin të pambuluara do të thoshte se do të zbulohej ajo që rinia e verbuar, konservatore dhe islamike, ndjen dhe dëshiron ta mohojë. Femrat shihen si burim destabiliteti – minifundet shkaktojnë tërmete, kështu thonë disa sish – dhe respektohen vetëm kur kanë një raport pronësie, si gruaja e filanit, ose e bija e fistekut.
Këto kundërthënie krijojnë tensione të padurueshme. Dëshira nuk rezulton me diçka të afërt; çifti nuk konsiderohet si një përbashkim privatësie, por si shqetësim i grupit. Mjerimi seksual që rezulton prej kësaj mund të transformohet në absurditet e histeri. Edhe në këtë derexhe, dikush mund të shpresojë se do ta përjetojë dashurinë, por janë të ndaluar mekanizmat e dashurisë – takimet e papritura, joshja, flirtimi: Femrat janë nën vëzhgim të rreptë, jemi të fiksuar pas virgjërisë së tyre, apo edhe kemi patrulla të policisë së moralit. Ka edhe aso që paguajnë kirurgët që të rikthejnë cipën e shqyer të virgjërisë.
Në disa prej tokave të Allahut, lufta ndaj femrave e ndaj çifteve të krijon përshtypjen e inkuizicionit. Brigadat e salafistëve dhe rinia lokale në Algjeri, frymëzuar prej fjalimeve të imamëve radikalë dhe predikuesve të sertë televizivë, doli verës të monitoronte trupin e femrave, sidomos të atyre që po bënin plazh me bikini. Policia iu vërsul në hapësira publike çifteve, madje edhe atyre që ishin të martuara. Parqet janë vende të ndaluara për të dashuruarit tinëz. Edhe janë sharruar në mes që njerëzit të mos ulen ngjitur njëri me tjetrin.
Si rezultat i kësaj, njerëzit fantazojnë për hiletë e një bote tjetër: ose të Perëndimit me njerëzit që nuk lodhen fort për modestinë dhe i jepen epshit, ose parajsës myslimane dhe virgjëreshave të saj.
Kjo është një zgjidhje që është ilustruar me përsosmëri prej mediave arabe. Teologët janë gjithkund nëpër televizione e po aq ka këngëtare e valltare libaneze të «Luginës së Silikonit», që shesin trupat e tyre të paarritshëm dhe seksin e pamundshëm. Edhe veshjet janë ekstreme: Në njërin kamp është burka, që mbulon trupin e femrave kokë e këmbë, në anën tjetër është hixhabi moutabaraj («mbuloja që shpërfaq»), që kombinon një shami me pantallona të ngushtë ose xhinse për trupi. Në plazh, burqini konfronton bikinit.
Terapistët e seksit i numëron në gishta në botën myslimane, dhe rrallëkush dëgjon këshillat e tyre. Kështu që, islamikët kanë de fakto monopolin për të folur për trupin, seksin e dashurinë. Me spektaklet fetare televizive dhe në internet, disa prej predikimeve të tyre kanë marrë forma monstruoze, duke u zhvlerësuar në njëfarë pornoislamizmi. Autoritetet fetare kanë nxjerrë fatva groteske: Ka prej atyre që ndalojnë seksin lakuriq; femrat nuk duhet të prekin bananet; një burrë mund të shoqërohet me kolegen vetëm nëse ajo është nëna e gjirit dhe nëse ajo ishte dadoja e tij.
Seksi është gjithkund.
Veçanërisht në ahiret.
Orgazmat konsiderohen të pranueshme vetëm pas martesës – dhe janë subjekte të diktateve fetare që shuajnë dëshirën – ose pas vdekjes. Xheneti dhe virgjëreshat e tij janë tema të veçanta maniakësh të predikuesve, që i paraqesin bujshëm si shpërblime për ata që rrojnë në tokat e mjerimit seksual. Duke ëndërruar prospekte të tilla, sulmuesit vetëvrasës i dorëzohen logjikës tmerruese dhe surealiste: Rruga drejt orgazmës arihet nëpërmjet vdekjes, e jo nëpërmjet dashurisë.
Perëndimi moti është rehatuar në ekzotizëm që i heq qafe ndryshimet. Orientalizmi ka një mënyrë të normalizimit të variacioneve kulturore dhe të justifikimit të çfarëdo abuzimi: Shehërzadja, haremi dhe vallëzimi «belly» ka bërë që disa perëndimorë të mos ia vënë veshin halleve të femrave myslimane. Por sot, me fluksin e fundit të emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, marrëdhënia patologjike që disa shtete arabe kanë me femrat, po vihet furishëm në pah në Evropë.
Ajo që dikur dukej spektakël i huaj në vendet e largëta, tani po duket si përplasje kulturash që po zhvillohet në tokën e vetë Perëndimit. Dallimet dikur i kishte neutralizuar largësia, dhe kërcënim i drejtpërdrejtë është bërë ndjenja e epërsisë. Njerëzit në Perëndim po e marrin vesh me ankth dhe frikë se i sëmurë është seksi në botën myslimane, dhe se sëmundja po përhaphet në tokën perëndimore.
New York Times-Dialog Plus
Autori është kolumnist i «Quotidien d’Oran» dhe kolumnist kontribues në gazetën «New York Times».)