Moda nuk të bën vetëm mirë

Identikiti i modës është që për t’u dukur e bukur duhet të jesh e gatshme të vuash dhe gratë e dinë mirë këtë. Problemi është se ndonjëherë termi “viktimë e modës” mund të marrë një domethënie më të saktë nga ç’dëshirojmë. Tani që pak a shumë të gjithë kemi zhbërë gardërobën, për shkak të ndryshimit të stinëve (ka ikur vera, ka ardhur vjeshta), mund të jetë momenti që të hapim dollapët dhe të kontrollojmë për rrobat dhe aksesorët, të cilët i bëjnë keq shëndetit tonë, e sidomos shpinës. Alarmi është lëshuar nga një grup ortopedësh anglezë, të cilët kanë zbuluar të dhëna të frikshme në lidhje me këtë fakt.

Le t’i marrim gjërat me radhë, duke filluar nga veshjet intime: sipas Shoqatës Britanike të Ortopedisë, një në gjashtë gra vuan nga dhimbjet e shpinës, ngrirja e qafës dhe dhimbja e kokës, sepse mban reçipeta të përmasave të gabuara. Shpesh femrat janë të prirura të zgjedhin kupa të vogla dhe mes të gjerë, gjë që i detyron shpatullat të mbajnë të gjithë peshën e gjinjve, duke dhënë kështu dhimbje shpine dhe dhimbje të tjera që lidhen me këtë problem. A dini se për shkak të këtij fenomeni masa e reçipetave mund të ndryshojë gjatë jetës? Në qoftë se vazhdoni të blini edhe në moshën 50-vjeçare të njëjtën masë që mbanit kur ishit 20, me siguri po gaboni rëndë. Për të shmangur rrezikun duhet të kontrolloni periodikisht se cila është masa juaj e vërtetë, duke provuar shumë prerje të kupës dhe mesit, derisa të gjeni atë që bën vërtet për ju dhe që ju jep rehati maksimale.

Kalojmë tek aksesorët: rripat shumë të ngushtë dhe çantat tejet të rënda janë dy nxitës të tjerë të fuqishëm të dhimbjeve osteoartikulare. Katër në dhjetë gra u ka ndodhur të paktën një herë në jetë të ndiejnë dhimbje shpatullash, qafe dhe shpine, për shkak të çantave që rëndojnë shumë. Çantat janë të bukura, të kushtueshme dhe mjaft praktike; mund të fusni brenda gjithçka, nga lapsi te libri, por kur mbahet në krah rëndon më shumë nga ç’mund të imagjinohet, duke shkaktuar në këtë mënyrë dhimbje të ndryshme. Në fakt dëmi që sjell nuk duhet nënvlerësuar.

Për sa u përket rripave, kush i mban shumë të ngushtë mund të ndiejë therje dhe djegie në pjesën e jashtme të kofshëve, me një rritje të ndjeshmërisë ndaj të nxehtit, gjë që mund të ndihet për shembull kur jeni në dush.

Në kategorinë e “viktimave të modës” përfshihen edhe meshkujt. Flokët dhe portofolat janë burimi i disa dhembjeve të ndryshme që prekin edhe ata. “Në klinikat tona shohim mijëra persona që vijnë duke u ankuar prej dhimbjeve të ndryshme e të bezdisshme dhe nga analizat e bëra kemi zbuluar se janë pasojë e sendeve që ata mbajnë”, thonë ortopedët. Për shembull, kapelet e ngushta sjellin dhimbje koke, sepse bordura fundore ngadalëson qarkullimin e gjakut dhe në qoftë se e mendojmë me kujdes mund të bëjmë një lidhje logjike e të kuptojmë se çfarë e shkakton dhimbjen. A e dinit se portofolat e mbushur, që zakonisht meshkujt i mbajnë në xhepin e pasmë të pantallonave, mund të sjellin dhimbje shpine? Po, është pikërisht kështu siç e lexuat: portofoli, kur vendoset në një pozicion të papërshtatshëm në xhepin e pantallonave, sjell dhimbje shpine.

SHKARKO APP