Modeli i munguar i biznesmenit në parlament
Tre ditë i mban Shqiparët larg nga dita kur me votë të lirë, do të vendosin për parlamentin e ri. Në këtë ditë të fundit fushate, partitë punojnë për të bindur elektoratin. Në rrjete sociale, aty ku edhe fushata ka një peshë të madhe, kandidatë, deputetë e kryetarë lëshojnë premtime, akuza, zihen etj.
Deputetja ende në detytë edhe pse nuk është pjesë e listës së PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit, Mimoza Hajdarmataj, përmes një postimi të gjatë në rrjetin e saj social facebook, ka pasqyruar kandidaturën e një biznesmeni, i munguar në kuvend.
“Dje dhe sot, në takime të mëdha dhe të zgjeruara, po mbyllet fushata si kudo, edhe në Kamëz e Paskuqan. Personalisht do doja të shpreh impresionin tim (të ndryshuar në fakt këto ditë) për modelin e biznesmenit të domosdoshëm për në Parlament. Pak vite më parë e kam patur si bindje që Parlamentit tonë nuk i hynin në punë biznesmenët, si njerëz me ideal paranë dhe mirëqënien, josocialë dhe ambiciozë. Dhe në mandatin e kaluar jo pak herë kishte raste ku i dhashë të drejtë vetes, pasi “kolegët e majtë” bënin betejë vetëm për të shtuar mundësitë për tendera, koncesione, influenca për bizneset e tyre dhe të miqve të qeverisë”,-shkruan Mimoza Hajdarmataj.
Por siç edhe e përmend, politika sjell gjithmonë befasi dhe kur je brenda ose jashtë parlamentit. Deputetja flet për një model që kuvendit i ka munguar, atij të një biznesmeni ku shton se tek kandidati i PD-së, Flamur Hoxha, ajo sheh një njeri me horizont europian për të bërë biznes.
“Në këtë fushatë unë pata një mundësi të jashëtzakonshme për të mbështetur biznesmenin Flamur Hoxha, kandidat i PD për Kamzën dhe Paskuqanin. Flamuri është në mesin e listës por cilësitë e tij nuk i ka asnjë kandidat i radhëve të para në listat e partive. Ai është modeli i biznesmenit europian, i cili biznesin e tij e trajton jo vetëm si burim parash por edhe si një mundësi për të punësuar me dhjetra familje apo për ti hapur rrugë punësimit të të rinjve të aftë”.
Hajdarmataj nuk lë pa përmendur edhe anën që ne nuk njohim gjithashtu edhe tek deputetët aktualë, atë jashtë kostumit politik , të punës së përditshme. Ajo shkruan se Flamuri ka krijuar vetë biznesin e fasonerisë ku punonjëset e tij janë gra, nëna të reja e vajza por që është një njeri që di të flas edhe për hallet e njerëzve.
“Flamuri është babai dhe bashkëshorti që di të përcjellë dashurinë dhe harmoninë që sot familjet e kanë të munguar jo vetëm prej mjerimit por dhe prej tronditjes së vlerave që ka shoqëria jonë. Flamuri di të flasë për hallet e njerëzve ashtu sikur flet me po aq seriozitet për hallet e shumta që çdo biznes ka në kulmin e krizës ekonomike dhe këto kohë mbijetese të ashpër nga monopolet e eksportit dhe të importit. Ai e ka krijuar vetë biznesin e fasonerisë ku punonjëset e tij janë gra, nëna të reja e vajza”.
Mesazhin e saj deputetja e mbyll me një thirrje për votuesit. “Një model i një biznesmeni të tillë i mungon prej 27 vitesh parlamentit. Hyrja e tij në institucionin simbol të demokracisë është flamuri i vlerave dhe krenarisë që i ka munguar dhjetëra deputetëve në këto legjislatura. Kamza dhe Paskuqani kanë shansin që të sjellin këtë ndryshim të madh historik në Parlamentin e Shqipërisë”.