Moment i veçantë në Kuvend, seanca bashkëdrejtohet nga Peleshi dhe Sofia
Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot një moment simbolik në hapje të seancës plenare. Kryetari i Kuvendit ftoi në drejtimin e seancës për disa çaste Sofinë, nxënëse e klasës së 9-të në shkollën publike “Naim Frashëri” në Tiranë.
“Në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, sot do ta nisnim këtë seancë plenare në një mënyrë të pazakontë, por domethënëse. Një vajzë e re, nxënëse e shkëlqyer dhe përfaqësuese e brezit që po rritet, do të më bashkohet për disa çaste në drejtimin e kësaj seance, si një simbol i fuqishëm që na kujton se çdo vendim që marrim dhe çdo debat që zhvillojmë këtu ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e fëmijëve tanë”, tha Peleshi në fjalën e tij hapëse.
Gjatë fjalës së saj para deputetëve, Sofi Xhafo shprehu emocionet e të qenit në sallën e Kuvendit dhe theksoi rëndësinë e të drejtave të fëmijëve:
“Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt, të dëgjohen, të shkollohen, të luajnë dhe të rriten me dashuri. Ju lutem, mendoni për ne dhe për të ardhmen tonë, për ëndrrat tona dhe për çdo fëmijë që ka nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.”
Ajo njoftoi gjithashtu ngritjen e grupit vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, të përbërë nga 24 deputete të Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të angazhohet për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në vend.
Në përmbyllje, Peleshi theksoi se angazhimi për fëmijët është një prioritet i pandryshueshëm i Kuvendit të Shqipërisë.
Ky moment i veçantë, i zhvilluar një ditë para 20 nëntorit, nënvizon rëndësinë e forcimit të zërit të fëmijëve dhe të mbrojtjes së të drejtave të tyre në çdo nivel të vendimmarrjes.

KOHA JONË SONDAZH

