Monika Kryemadhi: Vota për LSI-në është votë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve dhe të rejave

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me banorët e Përrenjasit, ku u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të LSI-së në qarkun e Elbasanit.

E pranishme ishte edhe Zv.Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, njëkohësisht kryesuese e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Elbasanit, e cila u shpreh se vota për LSI-në është votë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.

“Vota për LSI-në është votë për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve dhe të rejave. Vota për LSI-në sot është për një Shqipëri më të mirë, më të begatë, për një familje më të shëndetshme dhe mbi të gjitha për një Shqipëri me të ardhme të ndritur. Ky është shansi ynë. T’ia japim këtë shans LSI-së në mënyrë që t’ia japim këtë shans Shqipërisë që të jemi të barabartë me të gjitha vendet e tjera evropiane”, – u shpreh znj. Kryemadhi.

Ndërsa, kandidati tjetër për deputet i LSI-së në qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto, theksoi në fjalën e tij se politika duhet të jetë shërbëtore e qytetarëve dhe për këtë arsye duhet votuar LSI-në. Haxhinasto tha se rinia shqiptare duhet të ketë në sistem arsimor më cilësor, që të ketë më shumë shanse për të ardhmen.

“Nëse duam që politika të jetë shërbëtore e qytetarëve duhet të votojmë LSI-në. Nëse duam që rinia të ketë të ardhme, të ketë mundësi, të ketë shanse, duhet të votojmë LSI-në. Nëse duam një sistem arsimor cilësor, më pak të kushtueshëm, që përgatit njerëzit për punë, që i jep atyre shansin e vërtetë të punësimit, jo diploma që t’i tundin dhe pa asnjë vlerë, duhet të votojmë LSI-në”, – deklaroi Edmond Haxhinasto.

Gjatë takimit, kandidatët për deputetë të LSI-së shpalosën programin e LSI-së, që parashikon më shumë vende pune për të rinjtë, ulje taksash dhe një edukim më cilësor.

SHKARKO APP