“Moody`s” si “S&P” – Ruan të pandryshuar vlerësimin, flet për progres

Edhe gjigandi tjetër i vlerësimeve, Moody`s ka ruajtur të pandryshuar vlerësimin për Shqipërinë, në B1 me perspektivë të qëndrueshme. Raporti është publikuar po më 4 gusht, në të njëjtën ditë me atë të Standart and Poor`s.

Këto dy agjenci, përbëjnë, së bashku me Fitch atë që njihet botërisht si treshja e madhe, pra tre agjencitë më të mëdha në botë të vlerësimit të kreditit, opinioni i të cilave ka një ndikim të drejtpërdrejtë në financat e një vendi, pas ndikon në normat e interesit të huamarrjes së një qeverie.

Raporti i Moody`s është thuajse identik me atë të Standart and Poor`s, dhe kryefjala mbetet pikërisht konsolidimi fiskal dhe reformat.

“Vendimi për të konfirmuar vlerësimin për Shqipërinë dhe ruajtjen e një perspektive të qëndrueshme vjen si pasojë e progresit në konsolidimin fiskal dhe reformat strukturore dhe institucionale”, thuhet në raport.

Agjencia vlerëson reformat që ka ndërmarrë qeveria si pasojë e përpjekjeve për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian, si: lufta kundër ekonomisë informale, lufta ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi, etj. Edhe ligji i buxhetit organik vlerësohet me tone mjaft pozitive.

Gjithsesi, Moody`s gjen mjaftueshëm hapësira në këtë raport edhe për kritika, pasi flet për një forcë të dobët ekonomike, PBB të ulët për frymë dhe një nivel mjaft të ulët të diversifikimit të ekonomisë.

Projeksionet e Moody`s janë disi të ndryshme nga ato të Standart and Poor`s, pasi flasin për një rritje ekonomike në 3.6%, nga 3.7% që thotë agjencia rivale, dhe në 3.8% vitin e ardhshëm, nga 3.7% që thotë Standart and Poor`s.

Sipas Moody`s, ekonomia shqiptare mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme, përfshirë kapriçot e motit, duke pasur parasysh këtu impaktin e bujqësisë në ekonomi dhe varësinë e energjisë nga burimet hidrike. Sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar dhe i mirëlikudiuar, thotë agjencia.

SHKARKO APP