“Moody`s” zhvlerëson – Nuk ndryshoi borxhin, por uli notën e ekonomisë shqiptare

Pak ditë më parë, Moody`s njoftonte një vlerësim të pandryshuar për Shqipërinë në B1 me perspektivë të qëndrueshme.

Ky vendim shoqërohet edhe nga një raport më i gjerë, që shpjegon jo vetëm arsyet e këtij vendimi por që jep detaje më në hollësi. Ky raport është siguruar në mënyrë ekskluzive nga Televizioni SCAN.

Në njoftimin e bërë publik, Moody`s fliste me tone optimiste për ekonominë shqiptare, por jepte një lloj paralajmërimi. Ky paralajmërim shtjellohet në raportin e siguruar nga SCAN.

Madje, këtu Moody’s ka bërë një zhvlerësim. Profili i kreditit të Shqipërisë ndërtohet mbi 4 shtylla: forcën ekonomike, forcën institucionale, atë fiskale dhe rreziqet. Në tre prej këtyre vlerësimi mbetet i njëjtë, ndërkohë që në atë të forcës ekonomike ka një zhvlerësim, nga i moderuar, në të ulët.

“Ne kemi rishikuar në rënie forcën ekonomike të Shqipërisë, nga pikëzimi në të moderuar, në të ulët, por me perspektivë të qëndrueshme, pasi ne besojmë se, forca ekonomike do të jetë më e dobët se ç`sinjalizojnë indikatorët e tjerë, kryesisht ata sasiorë. Kjo gjë reflektohet edhe nga diversifikimi i ulët i ekonomisë, dhe baza e eksporteve, PBB e ulët për frymë, konkurrueshmëria e dobët, luhatshmëria e moderuar, e madje edhe pozitat e Shqipërisë në krahasim me fqinjët”, thotë Moodys në raportin e zgjeruar për Shqipërinë.

Ndër të tjera, Moody`s radhit edhe tre sfida që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në profilin e kreditit; borxhin e lartë publik me një strukture të brendshme jo të favorshme, ekonominë e vogël, të padiversifikuar dhe me nivel të ulët pasurie, si dhe dobësinë e institucioneve dhe korrupsionin.

Në këtë raport, gjigandi i vlerësimeve, Moody`s, jep një notë për çdo sektor, pra veç notës së përgjithshme të borxhit sovran.

Sektori bankar vlerësohet me notën B2 të moderuar, pra një notë mbi notën e përgjithshme./scan

 

SHKARKO APP