Moratoriumi për Dramën Shqipe

Nga Stefan Çapaliku/Pas Moratoriumit të skafeve, të gjuetisë apo të pyjeve, më në fund në vendin tonë u vendos edhe Moratoriumi për Dramën Shqipe. Me shumë gëzim dhe hare këtë vendim e shpalli drejtori i Teatrit Kombëtar, në momentin kur bëri publike Menunë (Repertorin) e Teatrit të vet, që këndëj e mbrapa mund të thirret lirisht Teatri Ndërkombëtar Shqiptar. Prej këtij çasti mos u çudisni kur të gjeni ndër të përditshme tituj të tillë të përngjashëm me “Moratoriumi i mishit, rrit çmimin e peshkut” apo “Hyn zyrtarisht në fuqi moratorium i pyjeve” e që në të vertetë do nënkuptojnë edhe situatën në të cilën gjendet drama kombëtare nën Moratorium.

Meqenëse ne jemi një vend ku drejtori i Teatrit Kombëtar emërohet nga Kryeministri, atëhere i bie që drejtori në fjalë të jetë njeri politik dhe të zbatojë (Prite Zot!) një direktivë marrë tërthorazi nëpërmjet Ministres së Kulturës, që siç dihet është punëtore dhe dashamirëse e përkthimeve.  Dhe meqë ra fjala te politika, është shumë interesant fakti sesi ajo (politika shqiptare) nuk dëshiron të heqë dorë nga kontrolli mbi teatrin. Ne e dimë fare mirë se ajo, politika jonë, e shtrënguar prej të tjerësh, ka hequr dorë nga emërimet e rektorëve dhe dekanëve e së fundi edhe nga emërimet e prokurorëve, por ja që nuk heq dorë nga teatri. Thonë që e ka qef.

Por le të kthehemi tek Moratoriumi. Unë personalisht nuk mendoj se drejtori ka ndonjë problem personal me dramën shqipe. Nuk ka thjesht sepse nuk lexon. Kësisoj problemet e tij janë me autorët, që shpesh kanë qëlluar të jenë me cene të ndryshme. Por ai ka problem edhe me regjisorët, që janë të paditur apo jo aq kurajozë sa  t’i qasen dramës shqipe.

Megjithatë çështja e dramës shqipe nuk është çështje arkeologjike. Unë po e ndihmoj drejtorin me një listë veprash të mrekullueshme të dramaturgjisë kombëtare, të pavëna asnjëherë në skenën e Teatrit Kombëtar dhe që mund t’i jepnin punë këtij teatri edhe të paktën për dhjetë vite të tjera. Me këtë rast mbetem me shpresë që edhe regjisorët shqiptarë ta marrin në konsiderate këtë listë, se kushedi, disa syresh mund t’i kenë shpëtuar vëmendjes (leximeve) të tyre.

Unë e di që t’i japësh dikujt të lexojë është një barrë e rëndë, por meqenëse ju zoti drejtor nuk mbani në Teatër dramaturgë (libretistë, që janë thirrë motit), që do duhej të paguheshin vetëm për të lexuar e rekomanduar, atëhere do t’ju duhet të mbërtheheni në bibliotekë. Ose a di çfarë? Më mirë organizo një seancë tjetër leximesh publike. Ohoho… e ku ka më mirë që të t’i lexojë dikush tjetër e ju të dëgjoni?! (Ky lexim quhet “Lexim me vesh”). Gjithsesi, përpiqu ta zgjidhësh disi. Ja pra. Po përqendrohem vetëm te modernët e bashkëkohorët, duke i lënë mënjanë klasikët e dramës sonë, si dhe ata dramaturgë aktivë si puna ime e që kanë vite që sillen rreth oborrit të Teatrit Kombëtar. Nga dramat e Martin Camajt kemi: “Loja e mbasdrekës” dhe “Kandili argjandit”; nga Zef Zorba kemi dramat: “Si nata me ditë” dhe “Këpuctari, Zhelani dhe Bukuria”, nga Lekë Tasi kemi dramën “Gishtat e fortë”; nga Primo Shllaku gjeni dramat “Mbret pa mbretni”, “Komshiu i katit sipër”, “Aktorë pa kujtesë”, nga Naun Shundi dramën “Misto” e kështu më radhë, – për të mos ju lodhur vijmë te pjesët dramatike të  Refet Abazit, Ridvan Dibrës, Lisandër Kolës e sidomos të Jeton Nezirajt, i cili po vihet në skenë edhe ndër teatro europiane. A e shikoni pra, sesa shumë mund të gjeni, veç po të “gërmoni” pak?

Mirëpo në fakt, detyra juaj si shërbyes dhe jo si sundimtar i Teatrit Kombëtar, si dhe detyra e shefes suaj si shërbyese dhe jo si sundimtare e Ministrisë së Kulturës, është që edhe nëqoftëse ato (veprat kombëtare dramatike) të mos ekzistojnë, t’i mbillni e t’i kultivoni. Si kultivohet një autor?!!! Ah…duhet pyetur i dashur drejtor. Duhet pyetur, domethënë duhet lexuar. Më fal që ta permenda prapë këtë fjalë fyese.

Shtete me tradita ku e ku më të pasura se ne e kanë vënë dramën kombëtare në qendër të edukimit e të nxënit. Kudo në vendet europiane (Sa për shembull: deri edhe në Malin e Zi, që është sa gjysma a çereku jonë) drama kombëtare komisionohet. Çfarë do të thotë ta komisionosh dramën kombëtare? Ah, edhe për këtë duhet pyetur. (Ndjesë! “Lexuar” domethënë). Por, meqënëse Teatri Kombëtar për nga natyra juridike mbahet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga Vermoshi në Konispol, a keni bërë ndonjë herë ndonjë sondazh zoti Drejtor, nëse janë dakord apo jo njerëzit me Moratoriumin që keni shpallur? Se nuk po ju pyes nëse e keni spostuar ndonjëherë teatrin nga Tirana në drejtim të viseve të tjera të vendit, se kjo do ishte e tepërt.  Si për koincidencë prej se u shpall ky Moratorium edhe Ministria e Kulturës, në shenjë kujdesi, e mbylli konkursin  kombëtar për dramen shqipe. Nga ana tjetër, teatrot lokale apo bashkiake edhe pse me buxhete krejt të ulëta dhe pa emërtimin “Kombëtar” këtë vit të gjitha kanë pasur drama shqipe në repertor. Ku i gjetën dramat ata? Në Teatrin Kombëtar të  Kosovës gjithashtu çdo vit realizohet konkursi për dramën shqipe dhe  botohen fituesit. Mjafton të pyesësh se ku i gjejnë autorët ata? Është e thjeshtë pra, Në Teatrin Kombëtar në Tirane autorët janë shpallur si “Non grata”.

Drama kombëtare, i nderuar Zoti Moratoriumist, është burimi bazë për mësuesit dhe edukatorët e një vendi në procesin e të mësuarit rreth dhe përmes dramës. Sllogani “Mësoni nëpërmjet dramës!” duhet t’i paraprijë një procesi të natyrshëm njerëzor, sepse është vertetuar se truri ynë është i etur për të. Kush e ka vërtetuar?! Ah edhe për këtë duhet, (më fal), lexuar, zoti drejtor. Vendet europiane e  njohin dramën kombëtare si gur themeli i një pedagogjie të fuqishme dhe si rezultat i një procesi krijues që siguron një nga mjetet më bindëse të eksplorimit të kuptimeve mbi jetën. Nëpërmjet kultivimit të dramës kombëtare ne mësojmë se çfarë ka qenë dhe cfarë mund që të jetë një qenie njerëzore e identifikuar si bashkëkombas. Drama kombëtare është dëshmi shpirtërore e historikes dhe diskursi dramatik i saj është i vetidentifikuar si diskurs social.

Një burim tjetër i rëndësishëm i kultivimit të dramës kombëtare mbetet nxitja e procesit të dramatizimeve të veprave të mëdha e të rëndësishme të letërsisë kombëtare. Pikërisht për këtë roli i dramaturgut në teatër është i pazëvendësueshëm. Ai, dramaturgu pra, ndërton diskutime të shëndetshme rreth estetikës së dramës bashkëkohore shqiptare dhe hedh farën për krijimin e teatrit të autorit. Në të gjithë botën i nderuar zoti Moratoriumist teatri është para së gjithash një fenomen lokal. Mos vallë ju kujtoni se në Europë teatrot rrinë e presin nëse po i sjell kush ndonjë tekst që të tingëllojë si vendali? Jo more zotëri. Në Gjermani porositen dhe paguhen paraprakisht më shumë se 100 tekste dramatike në vit. Dhe ti më thua se nuk të paska ardhur asnjë tekst shqiptar i prezantuar prej ndonjë regjisori. Po juve mund të mos ju vijë asnjëherë një tekst i tillë. Çfarë do të thotë kjo? Mos do thotë që Shqipëria të dënohet për të mos pasur kurrë dramaturgji të veten?! Jo more zotëri! Nuk është muhabet ky. Duke parë Menunë që na ke paraqitur kuptojmë edhe më mirë se eksterofilia e jote nuk e shpëton teatrin dhe as nuk e zgjith çështjen. Duke lexuar atë Menu merr vesh edhe më qartë se nëse regjisorin mund ta sjellim nga jashtë, autorin duhet ta prodhojmë.

Vetëm një të drejtë keni ju kur thoni se regjisorët shqiptarë nuk prezantojnë drama shqipe. Dhe duke deklaruar këtë të vertetë keni rihapur debatin se regjisorët  tanë nuk i qasen dramës shqipe sepse nuk kanë ku marrin referenca regjisoriale. Po. Është krejt e vertetë se drama shqipe përballohet vetëm prej regjisorësh të mirë, prej mjeshtrash. Po pra se si regjisor që jeni, tashmë duhet ta dini se niveli i regjisë shqiptare është dhe nuk mund të jetë më i lartë se ai i dramës shqipe. Drama dhe regjia janë skajet e një litari.

Kështu pra, në këto kushte ose t’ia heqim emërtimin Teatër Kombëtar dhe të themelojmë Teatrin e Dramës Shqipe, në modelin e Commedie Francaise ose t’i hapim rrugë dramës shqipe në këtë teatër, duke e kthyer në një shkollë dramatike. Por unë ende besoj se në një vend si i yni, pa sistem edukimi në fushë të dramaturgjisë është detyra e Teatrit Kombëtar të hartojë programe për kultivimin e dramës shqipe dhe dramaturgëve të rinj. Me Moratoriumin drejtori i Teatrit Kombetar na propozon haptazi të gjithëve ne, që kemi një jetë duke shkruar dramë, që të jetojmë pa u vene re, sepse ai ka vendosur përfundimisht që në vend që të bëhet një Marathonomak i dramës shqipe, të ikë duke u kujtuar si një Moratoriumist i Dramës Shqipe.

MAPO

SHKARKO APP