Mos e lëndoni Kosovën me protesta të dhunshme
Suzana Tahiri.
Fillimi i pranverës gjithsesi simbolizon një fillim të ri, shpresë të re, një dritë të re për vendin tim. Nuk do të dëshiroja që vendi im të karakterizohet me veprime politike, të cilat i kemi parë në të kaluarën, mbase edhe efektet e tyre. Fillimi i ri do të thotë promovim i diçkaje të re e të paparë gjerë më tani edhe pse politika në Kosovë në këtë pranverë mos të na sjellë atë.
Dhuna, protestat, egot e shfrenuara për të arrirë tek pushteti nuk janë apo nuk paraqesin fillim të ri dhe bazë të ndryshimit të mentalitetit të politikbërjes. Fillimi i ri arrihet atëherë kur respektohet rendi demokratik dhe në kuadër të tij instalohet fryma e debatit pozitë-opozitë në vend të polarizimeve, kundërshtive të paarsye e mbase edhe demonizimeve. Promovimi i kulturës së debatit politik e i cili si produkt nxjerrë vlerën apo më të mirën e mundshme për vendin tim për pikat e nxehta, është vlera e fillimit të ri të veprimit politik për t'i zënë vendin arrogancës politike, gjuhës së ashpër dhe mungesës së arsyes. Vendi im, veçanërisht me të rinjët e tij, jemi ngopur nga politikat të cilat si synim kanë zhurmën, dhunën për arritje tek caku apo qëlllimi i veprimit politik. Në emër të këtij fillimi të ri që identifikohet me stinën e re, ftoj politikën në Kosovë që në vend të organizimit të protestave, të synohet arritja e dialogut pozitë-opozitë dhe eliminuar arsyet e thirrjes së protestës. Qytetaria në Kosovë për ta kthyer besimin tek politika ka nevojë për fillimit e ri të të bërit politik.(kosova sot)