Mos është lajthitje kjo ideja e kultivimit të hashashit!?

Nga Zef Shtjefni

Mu duk e pabesueshme ditët e para, por ka njerëz që po i mëshojnë vërtetë idesë së kultivimit të hashashit në Shqipëri. Iniciatorët dhe përkrahësit e kësaj ideje mbështeten në faktin, se disa vende perëndimore si:Holanda, Amerika (së fundi po diskutonte dhe Italia)etj, e lejojnë kultivimin e hashashit të kontrolluar nga shteti dhe vetëm për qëllime mjeksore.Ca specialistë të fushës këtu tek ne vrapojnë të shpjegojnë se hashashi nuk është vetëm ai i drogës, por është disa llojesh. Ata pohojnë se hashashi i njohur me emrin kërp, ka qenë kultivuar masivisht edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Ai shitej në tregjet ndërkombëtare, së bashku me bimë të tjera medicinale, por një lloj tjetër i tij përdorej gjerësisht edhe në vend, për prodhimin e litarëve të fortë për anijet, sepse neilonet dolën më vonë. Kjo tymnajë publicistike në favor të kultivimit të kësaj bime narkotike në Shqipëri,fill tani pas përfundimit të super aksionit të Policisë për pastrimin e territorit prej tij,nuk ka se si të mos shkaktojë habi të madhe. Por mua kjo ide më kujtoj një sherr të madh vite më parë,mes një grupi kultivuesish të Malësisë së Madhe,të cilët për muaj të tërë qëndruan të arrestuar e pastaj me vite të tëra u rropatën gjyqeve,për të vërtetuar nëse ishte hashash, drogë,apo kërp medicinal bima që ata kultivonin në tokat e tyre. Tani imagjinoni se çfarë do të ndodhë, nëse do ta lejojmë të kultivohet ligjërisht në Shqipëri kjo bimë…! Besoj se është krejt lehtë të imagjinojmë se do gjelbërohen në pak muaj gjithë fushat, kodrat e malet e Shqipërisë me të. Shqipërisë ose Arbërisë së dikurshme mund t’ia ndërroj emrin në Hashashëri europiane. E si mund ta kontrollojë shteti ynë drogat e mbjella, kur sot nuk jemi akoma në gjendje të bëjmë zap bandat e tritolit, xhihadistët e kalifatit, nuk bëjmë dot pastrimin e politikës dhe administratës publike nga krimi e korrupsioni,nuk ndalojmë dot hovin e madh të krimeve të panumërta ordinere,nuk jemi në gjendje të kontrollojmë hormonet e lajthitura të Berishës, të Topallit dhe gjithë PD-së,që janë bërë haptazi avokate, nxitëse, frymëzuese dhe mburojë e veprimtarisë kriminale në vend. Pas gjitha atyre sakrificave e pune të mundimshme të bërë nga Policia e shtetit, si mund të na shkojë mendja të lejojmë me ligj kultivimin e hashashit.!? Kështu,do të na duhet të nxjerrim nga burgu të gjithë drogaxhinjtë e kriminelët e Lazaratit dhe biles t’u kërkojmë dhe falje e t’u paguajmë edhe dëmin që u kemi shkaktuar..! Ka interes të madh ekonomik kultivimi i kësaj bime, na thonë reklamuesit e saj. E kërkon vetë Europa e meqë Europës nuk qenkemi në gjendje t’i shesim gjë tjetër, le t’i shesim hashash..! Ekzakt, kështu justifikohen edhe talebanët, që prodhojnë drogat e forta nga Afganistani e poshtë, me destinacion vendet perëndimore. Ata mbase e kanë edhe mision politik,që t’u shesin helm europianëve dhe amerikanëve. Këta kanabisatanë, nuk besoj ta bëjnë për politikë, por ua ka prishur mendjen paraja. Megjithatë nuk arrijë të kuptoj kurajon e atyre që propozojnë lejimin e kultivimit të hashashit në këtë kohë, gjë që mua më duket vërtetë lajthitje. Të tallesh me punën dhe sakrificat e qindra djemve e vajzave të Policisë sonë, të cilët rrezikuan keqas jetën në luftën për mposhtjen e kështjellave të drogës, që na krijoi e la shteti i Sali Berishës në Lazarat, në Dukagjin etj.,është e lehtë, por është dhe pabesi. U bë luftë me gjithë arsenalin e armëve atje dhe vetëm falë profesionalizmit të Policisë së Shtetit Shqiptar, nuk u vra njeri dhe u arrit të pastroheshin të gjitha këto zona,duke rivënë në vend ligjin,dinjitetin e shtetit dhe duke i hequr vendit imazhin e shpërfytyruar kolumbian. Më duket lajthitje edhe të krahasosh funksionimin dhe kontrollin mbi territorin të shtetit shqiptar sot,me atë të shteteve europiane. Është lajthitje edhe të krahasosh forcën dhe organizimin e shtetit të sotëm, me shtetin e Enver Hoxhës. Shteti i Enverit ishte në gjendje të kontrollonte se çfarë flisnin një burrë e një grua poshtë jorganit në krevatin e tyre. Kurse këtyre u shkon mendja se administrata jonë sot do të mund kontrollojnë e dallojë kanabisin e drogës, mes 20 lloje të kanabiseve të tjera. Dyshoj shumë për këtë dhe ma do mendja se si unë dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve. Mbase propozuesit ndodhen nën presionin e madh të drogaxhinjve që kanë humbur milionat, apo dhe të atyre votuesve që kanë humbur punën, mirëqenien, rehatinë e hashashit. Nuk është ndonjë gjë e re kjo. Dihet se dy-tri zona në vend i kanë parë hajrin këtij kanceri, që prodhohej në kurriz të jetës së gjithë pjesës tjetër të vendit, e cila ka preferuar të respektojë ligjet e shtetit dhe të kultivojë:grurë, misër, patate, perime, pemtari, blegtori,apo të merret me biznese të tjera të ligjshme. Nëse do lejohet kultivimi i hashashit, fermerët jam i bindur se do t’i lënë këto punë dhedo t’i përvishen të gjithë drogës. Kështu do të ndodhë, nëse kjo ide e ndonjë ligjbërësi, bëhet ligj nesër. Është një mendim që çon ujë edhe në mullirin e vjetër të Berishës, sepse kështu,Ai dhe të tijtë do të justifikojnë atë që lejonin e bënin vetë më parë. A nuk ishin haptazi kundër ndërhyrjes së Policisë në Lazarat e Dukagjin? Me këtë berishët i bëjnë“naftën”gjithë asaj pune e gjithë atij suksesi të Policisë së shtetit për të mposhtur këtë sëmundje të rëndë, që po përhapej e merrte gjithë vendin. Ndaj,them mos është lajthitje propozimi për të lejuar me ligj kultivimin e hashashit.

 

SHKARKO APP