Mos u tregoftë! Në 2017-n në Shqipëri ka ende shkolla të tilla
Kur mendojmë shkollën, normalisht duhet të na vijë ndërmend një institucion mikpritës, që ofron të gjitha kushtet e duhura për të mësuar brezat e rinj, por një filozofi e tillë siç duket ende nuk ka mbërritur në Shqipëri.
Jemi në vitin 2017, në erën e iPhone-ve, robotëve dhe shumë shpejt makinave fluturuese, por në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Luzaj të Kuçovës, 9 nxënësit e vetëm që e frekuentojnë bëjnë mësim në këtë gjendje.
Një prind i këtij fshati ka dërguar pamje nga ngrehina e rrënuar në redaksinë e emisionit “Stop”. “Gjendja e shkollës nuk ka të krahasuar as me shkollat në mesjetë,” tregon ai ndërkohë që filmon klasat e shkollës.
“Godina nuk ka derë. Ambientet e brendshme janë skandaloze. Sot është ditë me shi dhe nxënësit kanë ardhur të lagur. Bankat janë shumë të vjetra, të viteve ‘71-‘75…” Shkolla nuk ka dritare, vetëm hekura ku në ditë të lagështa si ato kur është xhiruar videoja, nxënësit mund të varin bluzat dhe xhupat për t’i tharë.
Ndërkohë që ata vetë bëjnë praktikisht mësim në natyrë, me mure të pasuvatuara dhe kafshë që i vizitojnë hera herës, si kjo dhi në foto. Mësuesit e shkollës udhëtojnë 3-3 orë e gjysmë në këmbë për të dhënë mësim.