Mos voto si skllav!!!

 

Nga Brisida Gjikondi

Mos voto si skllav, ose mos voto hiç, bindu para se ta tundësh ose jo votën. Bindu, por jo si vdekatar pa trashëgimi, pa trashëgimtar. Ti nuk mund t’u lësh në trashëgimi fëmijëve të tu poshtërimin tënd, heshtjen tënde, bindjen e verbër ndaj pushtetit të mospërfilljes, pushtetit të sarkazmës, cinizmit që të përplas surratit se vlerat nuk janë vlera, se e keqja mund të rrijë në krye të vendit dhe jetës sate dhe jo vetëm kaq, por edhe të të udhëheqë si busull ligësie në vlerat e kiametit. E keqja më e vogël gjithsesi është klloçka e së keqes më të madhe.

Mos u bë bashkëpunëtor i heshtur i krimit të zhbërjes së vlerave, morale, fetare, kombëtare të një kombi. Po, në rast se je i bindur se duhet të jesh pjesë e kësaj tragjikomedie 25-vjeçare, duhet të jesh sërish mish për top, stol ku do ulë të ndenjurat ai që kokën ta ka shtypur, shko dhe zgjat jetën e tij dhe shkurto tënden, cilësisht shkurtoje.
Askush, askund, asnjëherë nuk të pyeti, për asgjë. Mos u gënje nga dritat vezulluese dhe puthjet e fushatës, përherë pushteti do të jetë mollë e ndalueme për ty, nuk është yti, as ka për të qenë.

Aq më pak i grave; Shqipëria është vendi ku gratë vazhdojnë të jenë Rozafat që burrat e pushtetit me cinizëm i vënë çdo 4 vjet në themelet e kështjellës së tyre pikërisht për jetëgjatësinë personale. Janë gratë shqiptare argate dhe skllavet e epokës së re që shqyhen në katërsh për 100 euro në muaj nëpër fasoneritë e pushtetit. Janë gratë që pensionin ia çuat në ekstremet e mbijetesës fizike të moshës 65-vjeçare, janë po ato që ju i përdorni si fshirëse xhami të pushteteve tuaja të njollosura. Janë të bindura gratë, shqiptarkat sidomos.

Ambasadori i fundmë i USA, zoti Lu, thotë se të votosh do të thotë të jesh pjesë e të ardhmes së kombit tënd; Eh çfarë trishtimi, përherë këta ambasadorët e kanë njohur Shqipërinë kur u ka mbaruar mandati!
E mira dhe e keqja në Shqipëri s’kanë kah, nuk janë të majta, nuk janë të djathta, ato mund të kenë sytë e Berishës dhe gojën e Metës, por edhe heshtjen e kompleksuar të Ramës.

Pushteti i vë në provë shqiptarët, si ato karriget e shkodranëve. E ndërkohë që mendoj e rimendoj kotësinë e votës sime plot agoni vlerash, më kujtohen dy shprehje të Mark Twain, i cili iluzioneve të mia i përgjigjej dikur me humor se “në rast se të votuarit do bënte diference, nuk do na linin ta bënim” dhe pastaj më kapitullon gjeniu Ajnshtajni, i cili falë ekspertizës së mendjes njerëzore thosh: “çmenduri është të besh përherë të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”

SHKARKO APP