Motivet e ISIS
Cilat janë motivet e udhëheqjes së Shtetit Islamik, i cili vazhdon të kryejë masakra në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe duket se ka ambicje globale? Disa analistë në rajon thonë se interpretimi që ISIS i bën Kuranit, i kombinuar me bindjen se po afron fundi i botës janë faktorët që i japin formë strategjisë dhe sjelljes barbare të këtij grupi.
Shteti Islamik vazhdon të trondisë botën. Aktet e këtij grupi si ekzekutimi i të krishterëve egjiptianë, djegia e pilotit jordanez, apo skllavërimi i graze jazidi janë shembuj të një sjelljeje jashtë çdo kufiri të tolerancës njerëzore. Ata vazhdojnë të përhapin video ku mburren me dhunën që kryejnë.
Analistët thonë se ekstremistët bazohen tek një interpretim i Kuranit si dhe tek profeci të shekullit të 7-të.
Peter Bergen është analist për çështje të sigurisë për rrjetin CNN dhe nënpresident i Fondacionit Amerika e Re . Ai thotë se udhëheqësit e ISIS besojnë në një interpretim të Kuranit që bazohet tek lufta.
“Po të nisesh nga logjika, nuk ke interes të futesh në luftë me Amerikën dhe 60 vende të tjera, të tërë botën arabe me Jordani, Egjipt, etj. Por ata nuk mendojnë me logjikë, por nisen nga bindja se po afron fundi i botës”.
Zoti Bergen thotë se udhëheqësit e ISIS besojnë se bota do të marrë fund së shpejti dhe se beteja përfundimtare do të zhvillohet në qytetin Dabiq në Sirinë veriore.
Kjo profeci shoqërohet me interpretime të zbukuruara nga rekrutët e ISIS, të cilët besojnë se ata që konsiderohen si luftëtarë të krishtërimit, apo të pafetë do të munden nga luftëtarët e Islamit.
Shumë analistë thonë se ky grup ekstremist është i interesuar që Perëndimi të pushtojë Sirinë, pasi kjo do të konfirmonte parashikimet e tyre.
Profesor John Horgan është drejtor i Qendrës për Studimet mbi Terrorizmin dhe Sigurinë në Universitetin e Masaçusetsit në Lowell.
“Shteti Islamik do që ne të besojmë se kjo është luftë për besimin, se kjo është një përplasje civilizimesh që do të sjellë një betejë të drejtpërdrejtë mes palëve kundërshtare”.
Disa ekspertë në rajon thonë se udhëheqja e ISIS është e bindur se përfaqëson vijën e frontit në një luftë fetare, madje kozmike mes së mirës dhe së keqes.
Analistë si Peter Bergen thonë se është e nevojshme që ISIS të dënohet nga një numër klerikësh myslimanë si dhe figura të tjera.
“Ata besojnë vërtetë në pikëpamjen salafiste, ekstremiste të botës dhe kundërvënia e vetme ndaj kësaj pikëpamjeje është një përgjigje ideologjike. Të vetmit individë që janë të aftë ta bëjnë këtë si duhet janë udhëheqësit dhe dijetarët myslimanë, të cilët mund të argumentojnë se si kjo sjellje është një shtrembërim i shëmtuar i fesë islame”.
Analistë të tjerë thonë se shumë luftëtarë të huaj janë bashkuar me ekstremistët pasi ndjehen të papërmbushur në shoqëritë e tyre dhe përpiqen të gjejnë një mision për jetën duke u përfshirë në luftra jashtë vendit.
Disa prej tyre janë xhihadistë të betuar, por ndryshe nga udhëheqja ata nuk nxiten nga besimi, thotë profesor John Horgan:
“Ngazëllimi i aventurës, kënaqësia që të sjell shoqëria me njerëz që kanë të njëjtin botëkuptim, të gjitha këto janë faktorë të fuqishëm nxitës. Pikërisht këto elementë ISIS ka arritur t’i përcjellë me shumë sukses përmes medias sociale”.
Analistët rajonalë thonë se mënyra për të mundur ISIS është të eliminohet udhëheqja dhe të rimerret territori që është zaptuar nga ky grup.Zyrtarët amerikanë thonë se 30% e territorit që kontrollonte ky grup në Irak tani është përsëri në duart e autoriteteve irakiane.Sipas analistëve, me zvogëlimin e terrenit që kontrollon ISIS do të bjerë edhe fuqia e mesazhit të tyre për afrimin e fundit të botës.