Mundja shqiptare në kaos, Biba: Urdhri i ministres Nikolla, i jashtëligjshëm!
Vazhdon kaosi në Federatën Shqiptare të Mundjes. Bllokimi i grantit nga Ministria e Sporteve është një masë administrative që përkthehet në bllokim të aktivitetit të Federatës. Akuza vjen nga presidenti i FSHM-së, Martin Biba, zgjedhja e të cilit kontestohet nga ministria. Biba kishte përballë, në zgjedhje deputetin socialist Arben Ndoka, por ministria e kontestoi fitoren e tij, si të manipuluar. – “Dua t’i bëj me dije ministres së sportit, zonjës Nikolla, që urdhri i saj është i jashtëligjshëm, një urdhër që bllokon pjesëmarrjen e Federatës Shqiptare në aktivitetet kryesore, si kampionati Europian dhe Botëror për të rinj, por ashtu edhe Botërori për Senior. Bllokimi i grantit do të thotë që bllokohet trajtimi ushqimor për 14 kampionë të mundjes,” – theksoi Biba.
Sipas drejtuesit të mundjes, largimet e Elis Gurit, kampion i botës me Bullgarinë dhe Sahit Prizrenit, i treti i botës dhe nën-kampion Europe, kanë ndodhur në të kaluarën nga vendimmarrjet politike. Humbja e yjeve është ndalur përkohësisht me Egzon Shalën, por bllokimi i grantit rrezikon arritjen e normës kualifikuese drejt Lojërave Olimpike Rio 2016. – “Vajtja në Kampionatin Botëror duke gjymtuar dy kampionët kombëtar Islam Islamaj dhe Vilson Ndregjoni është një pengesë e madhe për arritjen e rezultateve.”
Federata e Mundjes i dërgon Apel Ministrisë.
“Kërkojmë revokimin e këtij urdhri për bllokimin e grantit të federatës. Një federatë e basketbollit rus, u përjashtua. nuk e dimë nëse do të ketë sanksione të tilla, por nëse do të ketë, kuptohet që kjo vjen nga politika”.
Një apel vjen edhe nga Sahit Prizreni, ish-kampioni kuqezi që mban funksionin e trajnerit të Klubit Tirana në mundje.
“Jemi në prag të kampionatit botëror është normë kualifikuese dhe është një garë shumë e rëndësishme. Është djegur një Europian dhe Botëror për kadetë, që do të thotë mundësi medaljesh për Shqipërinë. Unë i bëj thirrje ministres që të lejojë mundjen të vazhdojë rrugën e saj, sepse mundja është e mundësive dhe ne jemi këtu për të treguar që nuk do të lejojmë askënd që të tallet me ne”.
Kampionati Botëror i Mundjes në Shtetet e Bashkuara do të zhvillohet nga data 7 deri më 14 shtator. Shqipëria do të përfaqësohet me tre sportistë Egzon Shala, Islam Islamaj dhe Vilson Ndregjoni. Shtatë mundësit që klasifikohen të parët në stilet dhe peshat përkatëse kualifikohen në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.