Mungesa e elitës si ushqim për populizmin

Nga Afrim Krasniqi

Prej më se dy dekadash na është dashur që sa herë kërkojmë referim, të gjejmë thënie, këshilla e përcaktime të bëra nga emra të njohur të elitës shqiptare të viteve ’20-’30. Në asnjë periudhë tjetër historike nuk kemi pasur më shumë emra krijues, përfaqësues dhe mendimtarë sesa në fazën e parë të krijimit dhe ndërtimit të shtetit. Vala represive e fundit të Luftës së Dytë Botërore i shpalli luftë elitës politike e kulturore, vetë diktatura krijoi elita të emëruara prej saj, kryesisht mbi bazë besnikërie dhe shërbimesh.

Përgjatë tranzicionit demokratik vijojmë të përballemi me modelin e tretë: elita të emëruara dhe elita të imponuara nga qeveri e pushtete të radhës, të cilat në vetvete, duke qenë produkt i një sistemi mendimi përjashtimi dhe të indroktrinuar nuk kanë arritur dhe nuk po arrijnë të ndikojnë për një shoqëri më qytetare dhe civile.

Emrat përjashtues janë të paktë, shumë të paktë. Një shoqëri nuk mund të fshihet gjithnjë vetëm pas një emri si Ismail Kadare, siç edhe një koment nuk mund të fshihet pas 2-3 emrave të përvetshëm të Tiranë e Prishtinë. Në Tetovë, pas ikjes së parakohshme të Arbër Xhaferrit, nuk ka më pikë referuese, në Malin e Zi mungon gjithashtu.

Në traditën e shoqërive në zhvillim mund të ndodhë që ato të privohen nga elitat konkurruese në vlera e mendime, por vendin e tyre e plotësojnë traditat pozitive, institucionet, garancitë e ligjit dhe përdorimit racional dhe efikas të hapësirës së lirisë në ide, në konkurrim, në debat dhe në projektin e të ardhmes.

Shoqëria shqiptare nuk i ka ende as institucionet funksionale, as garancitë që burojnë prej lirisë, as traditën pozitive dhe as elitat, – pra nuk është e (vet)privuar nga secili prek këtyre elementëve thelbësorë në identitetin krijues dhe kulturor të saj. Ky privim vjen pjesërisht si trashëgimi i mënyrës sesi e krijuam dhe jetuam të kaluarën nën regjime diferencencuese anti-elitë, por edhe për shkak të një mjedisi para-demokratik që refuzon pozitiven, baltos mendimin progresiv, mbështet populistët dhe është i gatshëm përherë të krijojë mite politike në varësi nga emrat e sundimtarëve të radhës.

Edhe ky bilanc, mungesa e elementëve bazë të identitetit kulturor dhe krijues, nuk është tipik shqiptar, është tipik për vende si ne, me një CV jetësore komplekse dhe problematike, plot kontraste, zhgënjime, eksperimente dhe ndërveprime të faktorëve politikë, ekonomikë e socialë. Gjithsesi modeli shqiptar, ndryshe nga shumë prej modeleve të njëjta kritike, vijon të ruajë me fanatizëm elementë “shqiptarë” lokalë të sjelljes së elitave ose të paktën, atyre që kanë zënë vendin e tyre, flasin në emër të tyre dhe imponohen si udhëheqëse të turmave populiste.

Një ndër këta elementë është gjuha e ashpër refuzuese ndaj Tjetrit, gjuha denigruese ndaj Tjetrit, lufta ndaj Tjetrit deri në denigrim personal, rendja pas tipareve të Tjetrit dhe jo mendimeve të tij, zëvendësimi i debateve të mëdha me debate personale, lufta pa sens për të tërhequr vëmendje e auditor përmes gjuhës së turmës, denigrimit dhe përdorimit të pushteteve të radhës si aleat publik e institucional për të mundur Tjetrin në gjithçka ai përfaqëson, synon apo propozon.

Në dy javët e fundit publiku i pakët që ndjek mediat e shkruara dhe sociale pati rastin të shohë edhe njëherë vërtetësinë e kësaj teze kritike. Disa emra të njohur të botës akademike, universitare, mediatike, etj, u përfshinë në debat mbi idetë, por mbi CV dhe personalen e secilit. Një lumë sharjesh, denigrimesh, fyerjesh, kërcënimesh, gjuhës përjashtuese dominoi debatet, duke mos i lënë hapësirë debatit real mbi problematikat konkrete politike e kulturore, universitare dhe mediatike, – si dhe duke demonstruar nivelin periferik të mendimit të imponuar elitar në vend.

I njëjti tipar përsëritet sa herë kemi rotacione politike, – disa që ndjehen afër pushtetit të radhës mbushin mediat me sulme politike e personale ndaj të tjerëve që nuk bëjnë pjesë në haremin e pushtetit, – dhe kështu, cikli i Rofazës përsëritet, gjithçka nis nga niveli 0 dhe për secilin, mendimi ndryshe, nuk është aq më pak dhe as më shumë se sa burim i gjithçkaje negative në shoqëri, në shtet, në kulturë, në jetën publike dhe në tranzicion.

Për elitat në Tiranë p.sh, ligji i arsimit të lartë është ose shumë i keq, ose shumë i mirë, – pikëpamje të mesme nuk ka, pra nuk lejon. E njëjta ndarje bardh e zi përsëritet për çdo temë, çdo debat, çdo ligj, çdo politikan drejtues, çdo qeveri, çdo vepër letrare e akt publik, çdo zë civil dhe nismë civile, – një tipar ky i shoqërive të brishta para-demokratike dhe formim nga sistemi monist i formimit dhe mendimit personal, profesional dhe politik.

Mungesa e elitave kulturore, akademike dhe civile si edhe sjellja kritike e atyre që përpiqen të imponohen në emër të tyre bëhet edhe më problematike për ne kur shohim se niveli vendimmarrës politik, pra ata që na qeverisnin dhe na qeverisin, përfaqësojnë nivel mesatar në formimin politik, kulturor e profesional duke nga provuar kështu edhe nga mundësia e elitave politike.

Të dy mungesat mbeten ushqimi dhe burimi kryesor i akteve populiste dhe mendësive të turmës, të gatshme ta përjetojnë çdo moment si ditën e fundit të jetës së tyre, – të gatshme të përdoren nga kushdo që ka sadopak pushtet ose ndikim politik, refuzuese ndaj leximit, ndaj reflektimit, ndaj mendimit kritik dhe Tjetrit, dhe mbi të gjitha, refuzuese ndaj ndryshimit dhe shenjave të qytetarisë konkurruese në vlera, ide, projekte dhe vizione për të ardhmen.

Rrugëzgjidhja? Është rrugë e gjatë, shumë e gjatë dhe tejkalon një brez jetësor. Mbi të gjitha është çështje formimi dhe reagimi ndaj gabimeve të kaluarës. Por disa hapa mund të bëhen që tani. Jo siç ndodhi me universitetet – kioska, të cilat me të drejtë u mbyllën, por shteti e njohu produktin e tyre dhe ndaj në Kuvend më shumë kemi diploma të këtyre universiteteve sesa nga universitetet që kryesojnë rankimin kombëtar universitar.

Jo siç ndodhi e po ndodh me titujt shkencorë, të cilët u morën të mirëqenë nga periudha e promovimit ideologjik apo sot përmes formalizmit dhe plagjiaturës masive. Jo siç ndodhi e po ndodh me përfaqësuesit politikë, të cilët e deformuan sistemin përfaqësues nga katedrat universitare tek të “fortët” e inkriminuar dhe partnerët e tyre të biznesit politik.

Mbi të gjitha duke ushqyer, promovuar dhe demonstruar një sistem të ri transparence maksimale në çdo sektor e fushë shoqërore, një sistem reflektimi dhe edukimi cilësor në çdo nivel arsimor, një sistem konkurrence e promovimi mbi meritat profesionale në jetën publike e profesionale, një sistem cilësor konkurrues në politikë dhe një sistem refuzues ndaj antivlerave në familje, shoqëri, jetën publike dhe kudo ku ende ekziston arsyeja, vullneti dhe kurajë për të ndryshuar jetët e realitetet tona. Janë rrugëzgjidhje, për të cilat, Arbër Xhaferri thoshte se ia vlen të sakrifikohet dhe pa të cilat, sipas Habermas, një shoqëri mund të mbijetojë, por do ta ketë të largët perspektivën që e bën atë të jetojë.

SHKARKO APP