Na duhen të rinjtë e talentuar, jo zyrtarë të korruptuar
Nga Aranit Muraçi –
Kush e vlerëson dhe e zhvillon një të talentuar dhe kush e mbron dhe e mban një të korruptuar!? Cili është raporti mes këtyre dy kategorive, që i hasin shoqëritë në çdo vend të botës dhe roli që duhet të ketë shteti?! Nëse për zyrtarët e korruptuar, që tashmë janë kthyer në njerëz të neveritshëm për shoqërinë e gjerë shqiptare, për talentin është folur dhe është diskutuar më pak. Usain Bolt, sprinteri i njohur xhamajkian, me 6 Medalje Ari në dy olimpiadat e fundit, mban aktualisht rekordin botëror në 100 dhe 200 metra. Askush tjetër në planet nuk ka vrapuar më shpejt si ai në tërë historinë e njerëzimit, (rekordi i Bolt: 9.58 sekonda për 100 metra dhe 19.19 sekonda për 200 metra). Nuk ka kundërshtime, as debate për rezultatet e tij, madje, studiuesit që janë marrë me fenomenin “Bolt”, thonë se çdokush që ka kundërshtime është i ftuar që të provohet në garë dhe të thyejë rekordin e tij. Vetëm në një garë, ku ndiqen rregullat, vetëm nëpërmjet saj triumfojnë më të mirët dhe talentët. Bolt nuk është nga SHBA-të dhe as nga Gjermania, dy superfuqi ekonomike, as nga Japonia një superfuqi ekonomike dhe teknologjike, as nga Kina, vend me numrin më të madh të popullsisë në botë. As nga Rusia. Nuk është as i biri i ndonjë presidenti apo kryeministri të ndonjë vendi të pasur, që do të donte të ishte në vendin e tij, apo i ndonjë njeriu tjetër, me çfarëdolloj pushteti, në botë. Ai vjen nga vend i varfër si Xhamajka dhe nga një familje e varfër, por megjithatë, askush nuk e ka ndalur që të jetë sot ai “mbreti” i sprintit dhe i sportit në planet. Falë talentit, Bolt konsiderohet kampion i përmasave botërore. Xhamajka me të drejtë krenohet me të. Në shumë fusha, sport, art, kulturë, shkencë, politikë, diplomaci, kombet e shohin talentin si një “thesar ari”. Sa më shpejt të zbulohet dhe sa më tepër të motivohet, nga familja, shoqëria dhe vendi që ai përfaqëson, talenti i tij pa asnjë dyshim triumfon dhe më pas i nderon të gjithë, sipas radhës: veten, familjen, shoqërinë, kombin, madje kthehet edhe në një model për të rinjtë. Nëse Shqipëria ka ndonjë talent në sportin e notit, nuk mundet kurrsesi të ketë kampionë ballkanikë, europianë, botërorë, apo medalistë pa ndërtuar më parë një pishinë që ky talent pasi të zbulohet, edhe të kultivohet si duhet. Kush ka ndjekur dy olimpiadat e fundit “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”, e kupton se pse pikërisht Kina, e panjohur më parë për kampionë, tani është vendi që po konkurron SHBA-të për numrin e medaljeve. Prej vitesh, Kina investon për talentin, si në sport, edhe në fusha të tjera. Shqipëria nuk mund të krahasohet me vendet e mëdha dhe të zhvilluara, por mundet të ndjekë modelet që ato afrojnë dhe mundet që të jetë para vendeve të tjera të rajonit, si: Kroacia, Bosnja, Serbia, Sllovenia, pse jo edhe se Greqia. Gjithnjë nëse ka vend për meritat dhe talentin. Përse sot e kësaj dite me mijëra të rinj, vazhdojnë të largohen nga vendi, për të punuar, jetuar, shkolluar apo ushtruar pasionin e tyre? Dhe pse suksesi i tyre vetëm andej, bën jehonë ndërkombëtare? E thjeshtë: ashtu si në fushën e ekonomisë, ku Shqipëria sipas shifrave dhe të dhënave zyrtare nga institucionet ndërkombëtare konsiderohet ende si vendi më i varfër në Europë, edhe shifrat apo rezultatet në të gjitha fushat e tjera, tregojnë se mbetemi pas të gjitha vendeve të tjera. Sportistë shqiptarë po vlerësohen dhe po dallohen vetëm kur luajnë jashtë vendit të tyre, (lojtarët e Kombëtares Shqiptare, pjesa më e madhe të rritur në vendet e Europës, e treguan më së miri suksesin e fundit historik dhe mos harrojmë se drejtohet nga një trajner i huaj. Po ashtu këtë sukses e kishin provuar më herët të gjitha vendet e tjera të Ballkanit). Në letërsi përse nuk po përsëriten më shkrimtarë të kalibrit të Ismail Kadaresë apo Dritëro Agollit, veprat e të cilave i lexojnë edhe sot lexues nga të gjithë kontinentet? Artistët e mirëfilltë po ashtu vuajnë, në Shqipëri. Tregu muzikor shqiptar shpesh nuk afron vlera dhe rasti i Elhaida Danit që korri sukses kur shkoi në Itali është një tjetër sirenë alarmi, që tregon se talenti në Shqipëri ose has probleme, ose më keq akoma, digjet nëse nuk largohet nga vendi. Ka nostalgji për aktorët e viteve të regjimit komunist, për muzikantët e asaj periudhe. Shqipëria ka pasur gjithnjë dhe ka drejtues që paguhen për të zhvilluar sportin, artin kulturën shkencën. Arti kërkon talent. Por si kudo talenti duhet vlerësuar, zhvilluar dhe kërkon vëmendjen e shtetit. Çështja sot shtrohet, nëse kanë dështuar drejtuesit për mungesën e sukseseve ndërkombëtare, apo të talentuarit që nuk vlerësohen dhe ikin nga vendi i tyre? Pse ikin vazhdimisht të rinjtë shqiptarë jashtë, për të kërkuar sukses dhe pse nuk largohen të korruptuarit? Për pështjellimin dhe analizën e kësaj teme, “Koha Jonë” përzgjodhi këngëtaren e suksesshme shqiptare Elhaida Dani dhe akademikun e njohur, Artan Fuga. Elhaida Dani tregon eksperiencën e saj të suksesit, mes Shqipërisë dhe Italisë, kurse Artan Fuga fokusohet tek faktet dhe studimet e tij, se përse talenti ndesh gjithnjë vështirësi në vendin tonë.
http://www.kohajone.com/2016/02/20/elhaida-dani-shqiperia-e-mbushur-plot-me-rinj-te-talentuar/