Nafta falas në bujqësi, përfituesit për 3 vitet e ardhshëm

Ministria e Bujqësisë parashikon një rritje graduale të numrit të përfituesve nga nafta falas në bujqësi, por pas vitit 2025.

Për vitin 2024 dhe 2025, parashikohet që nga Skema e Subvencionit të naftës për bujqësinë të jenë përfitues 31.500 fermerë.

Ndërsa në vitin 2026, ky numër do të shkojë në  32.500 përfitues dhe në 2027-ën në 33.000. Pra rritja në 3 vitet e ardhshme, deri në 2027-tën do të jetë 1 mijë fermerë më shumë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, për vitin 2024, 54.255 aplikime për mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi, janë përzgjedhur në fazën e parë janë përzgjedhur 23.190 prej tyre apo afro gjysma e fermerëve që kanë kërkuar mbështetje.

Duke qenë se Ministria e Bujqësisë është shprehur se fondi prej 12 milionë eurosh për këtë qëllim do të ndahet në mënyrë proporcionale mes aplikantëve që plotësojnë kriteret e nevojshme, duket se përgjysmimi i tyre ka të bëjë me problematika në këtë drejtim.

Të dhënat tregojnë se qarku Fier, ku dhe bujqësia është me e zhvilluar,  është ai që kryeson për nga numri i aplikantëve dhe përfituesve, ndjekur nga Qarku i Korçës, Beratit, Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës.

Përfitimi për sipërfaqen që kultivohet varion:  deri në 100% të vlerës, për fermerët/aplikantët me sipërfaqe deri në 10 hektarë. Ndërsa  për sipërfaqen mbi 10 hektarë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.

Skema e mbështetjes me naftë këtë vit ka ndryshuar dhe nuk do të bëhet përmes kartave si vitet e kaluara, por me para’ të cilat do të kalojnë në llogaritë e fermerëve.

Ministria e Bujqësisë është shprehur se po punohet për të arritur një marrëveshje me bankat tregtare që të mundësohen llogari me kosto të reduktuar për ata fermerë që janë përfitues të naftës.

Nga Elisabeta Dosku/ Scan TV

SHKARKO APP