Nard Ndoka: Agron Duka, kandidatura më e mirë për Durrësin

Deputeti i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka komentuar ngjarjet e fundit në skenën politike. Ai mendon se në gjithë këtë histori, deputeti socialist Tom Doshi do t’ia dalë. Sipas tij, Prokuroria dhe Gjykata duhet që të punojnë për të zbardhur të vërtetën. “Mungesa e transparencës nga ana e Ramës dhe e Metës në këtë histori është e papranueshme, heshtja e tyre për muaj me radhë i bën ata fajtorë para opinionit publik, madje edhe ndaj ligjit “për moskallëzim krimi”, është shprehur Ndoka, duke kërkuar dorëheqjen e tyre. Në lidhje me dëshminë e dëshmitarit, ai thotë se: “Dëshmitari humbi si provë e besueshme, pasi ai ka bërë dy dëshmi të kundërta. Hetimi dhe lidhjet e tjera do të hedhin dritë më tepër. Një dëshmi në liri është më e besueshme se një dëshmi në qeli. Gjithsesi, ka personazhe dhe axhendë tjetër hetimi”. Në lidhje me këtë, ai thotë gjithashtu se ministri Tahiri hoqi kostumin e ministrit dhe vuri kapelen e policit…

 

Si e vlerësoni përjashtimin e Tom Doshit nga grupi i Partisë Socialiste? A ishte kjo një zgjidhje që ofronte partia?

Përjashtimet në thelb nuk janë demokratike dhe tregojnë agresivitetin e forcës politike që i kthen në institucion. Zërat ndryshe, zërat kritikë e alternativë duhen respektuar në politikën shqiptare dhe në të gjitha subjektet politike. Mazhoranca aktuale me përjashtimin e z. Doshi nga grupi parlamentar, tregoi se nuk është e prirur drejt dialogut dhe mirëkuptimit brenda grupit, por në goditjen e atyre deputetëve që guxojnë të dalin kundër.

 

A ka mister kjo ngjarje?

Rasti i Doshit është i mbuluar me mister, se mbart mbi vete shumë enigma të cilat nuk janë bërë publike, ndaj edhe gjykimi është pak i vështirë në këtë rast. Lufta ka filluar parimore, ka vazhduar me akuza dhe ka përfunduar me luftë. Duhet të presim se si do të rrjedhin ngjarjet, pasi të gjithë shprehen se “bomba” nuk ka shpërthyer akoma.

 

Mendoni se ka prova të tjera?

Tashmë disa prova janë bërë publike, shpresojmë që të tjera do të jenë në duart e drejtësisë dhe të vendoset më në fund drejtësi për të gjithë. Ka ardhur momenti që akuzat reciproke duhet të marrin fund, drejtësia duhet të veprojë shpejt, me profesionalizëm dhe shumë guxim në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës. Imuniteti nuk duhet të jetë mburojë për askënd, as pozicioni politik, por një standard duhet të vendoset për të gjithë.

 

Mendoni se me aq sa ju e njihni Metën, mendoni se ai ka paguar njerëz për ta vrarë? Çfarë i ndodh Parlamentit në këtë rast? A duhet të tërhiqet Meta por edhe Rama?

Unë e njoh Metën dhe Ramën dhe çdo personazh politik, por njohja jonë është sipërfaqësore, nuk kemi informacion se çfarë fshihet dhe çfarë luhet pas këtyre tymnajave mediatike që kanë trullosur çdo njeri në këtë vend. Meta si rregull, si standard i vendosur prej tij, duhet të japë dorëheqjen nga drejtimi i Kuvendit që drejtësia të hetojë dhe të gjykojë e lirë, pa presionin dhe prezencën e pushtetit të Kryetarit të Kuvendit. Mungesa e trasparencës nga ana e Ramës dhe Metës në këtë histori është e papranueshme, heshtja e tyre për muaj me radhë i bën ata fajtorë para opinionit publik, madje edhe ndaj ligjit “për moskallëzim krimi”.

 

Përgjegjësia e ministrit të Brendshëm në këtë rast?

Ministri i Brendshëm është ngatërruar keqazi në këtë histori me porositës, dëshmitarë dhe vrasës. Detyra e tij ligjore është e qartë, pozicioni i tij politik dhe funksioni kushtetues si ministër, nuk e lejojnë të merret me çështje të veçanta, është Policia e Shtetit ajo që ka për detyrë ligjore të ndjekë proceset dhe çështjet e veçanta, e në këtë rast, ministri ka kaluar dhe shkelur ligjin, ka penguar hetimin me prezencën e tij, nuk ka kallëzuar krimin duke kërkuar të hapë çështjen “kryesisht”, mbasi është informuar dhe takuar me personazhe që sot janë të akuzuar dhe të ndaluar nga Policia e Shtetit. Ministri ka ngatërruar “kostumin politik” duke vendosur “kapelen” e policit sipër kokës! Pra, kemi një treshe që mbajnë përgjegjësi para ligjit dhe opinionit, për “moskallëzim krimi” dhe duke fshehur të vërtetën përpara qytetarëve të këtij vendi dhe Kuvendit të Shqipërisë.

 

Çfarë po ndodh me dëshmitarin? Vërtet mendoni se ai po dëshmon të kundërtën e realitetit?

 

Dëshmitari humbi si provë e besueshme, pasi ai ka bërë dy dëshmi të kundërta. Hetimi dhe lidhjet e tjera do të hedhin dritë më tepër. Një dëshmi në liri është më e besueshme se një dëshmi në qeli. Gjithsesi, ka personazhe dhe axhendë tjetër hetimi.

 

Besoni se drejtësia do të flasë me gjuhën e së vërtetës, apo?

Të shpresojmë.

 

Besoni se Doshi do t’ia dalë në gjithë këtë histori?

Mision i vështirë, por jo i pamundur.

 

Të kalojmë pak te situata politike. Ju keni shprehur dëshirën për të patur një kandidat të partisë tuaj për kryetar bashkie?

Partia Demokratike e Shqipërisë si forca kryesore opozitare po shikon me vëmendje çdo kandidat potencial për të kandiduar të gjithë së bashku si opozitë. Mendoj se një testim paraprak është i domosdoshëm, nuk ka rëndësi nga cila forcë politike vjen propozimi, por ne si opozitë të paraqesim para komuniteteve lokale personazhet më të mira duke garantuar fitore. Partia Demokristiane e Shqipërisë, ka përzgjedhur kandidatët e vet në të gjitha bashkitë, madje pretendon që disa prej tyre të jenë konkurues në listën e përbashkët opozitare. Kemi pretendimet tona për bashkitë: Fushë Arrëz, Vau i Dejës, Lezhë, Mirditë, Kurbin dhe Sarandë.

 

Figura e Agron Dukës ka dhe zëra kundër brenda PD-së. Si e shihni kandidaturën e Dukës?

Është kandidaturë potenciale dhe fituese. Një person me mbështetje popullore, me vizion dhe menaxher shumë i mirë. 

SHKARKO APP