Nasip Naço: PS duhet të votojë për arrestimin e Tahirit
Ish-ministri i Drejtësisë dhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço ka deklaruar se Partia Socialiste duhet të votojë pro kërkesës së Prokurorisë për Saimir Tahirin.
Në një intervistë për “Vizion Plus”, Naço shprehet se asnjë deputet nuk mund të marrë përsipër të gjykojë nëse provat janë të vlefshme apo jo ndaj Tahirit. Naç ka theksuar se këtë gjë e vlerëson gjykata.
“Absolutisht, ne duhet ta pranojmë që të gjithë që duhet të kemi një ndarje të pushteteve përfundimisht, pra politika dhe kryeministri ka rolin e vetë, dhe gjykata dhe prokuroria kanë rolin e vetë. Pra çfarëdo lloj vendimi që do marrim ne, në fund të fundit kërkesa e bërë nga prokuroria do verë në gjykatë. Do jetë gjykata e cila do të vendosi në lidhje me këtë kërkesë, gjykata e shkallës së parë, gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Pra janë 3 gjykata të tjera, të ndryshëm nga këta prokurorë që do të vendosin në lidhje me kërkesën e bërë. Pra nuk jemi ne, as unë, as z.Manja, që meqë kemi punuar 5 ditë në prokurori të vendosim ne, është kjo apo nuk është kjo, për të bërë një mbrojtje fanatike ndaj. Z.Tahiri apo dikujt tjetër.”, shprehet Naço.
INTERVISTA:
Keni një koordinim me Partinë Demokratike për momentin në lidhje me çështjen e heqjes së imunitetit të z.Tahiri, veprimet që do ndërmerrni do jenë të koordinuara?
Unë mendoj që ka një çudi sot, madje dhe pyetja është pak e çuditshme që a kemi një koordinim, siç kemi deklaruar që ne jemi një front opozitar me të gjithë ata që mendojnë që në këtë situatë të duhet rreshtohen. Në këtë front askush i pari apo i dyti por një front më i gjerë për shkak të situatës politike ekonomike që sot është Shqipëria, një proces paszgjedhor. Dhe besoj se këtu jemi në një gjatësi vale me të gjithë forcat opozitare. Është një fakt tashmë që bëhet përditë në lajmet që jepen brenda vendit apo dhe në Itali në Greqi dhe diku gjetkë. Që Shqipëria është bërë furnizuesi kryesor i lëndëve narkotike. Dhe besoj ky është një fakt që nuk e mohon dot askush. Shqipëria është bërë një bazë për të furnizuar Europën dhe pak më gjerë. Nisur në këtë kontekst ku ne jemi bërë epiqendra e trafikut të lëndëve narkotike sigurisht që kemi një emërues të përbashkët me PD dhe me forca të tjera opozitare në parlament dhe jashtë parlamentit. Në lidhje me pyetjen që ju bëtë sigurisht që duke qenë në opozitë sigurisht që ne kemi patur qëndrimin besoj e duhur që duhet të mbaj çdo lloj opozite por qëndrimin që duhet të mbante dhe mazhoranca. E nis këtë pasi si deputeti I LSI që nga viti 2009 kam deklaruar në Parlament që LSI ka marrë një vendim të vetin, politik dhe ka vendosur që të heq imunitetin për të gjithë deputetët e vet në çdo rast. Pavarësisht se mbrojtja është në Kushtetutë dhe me ndryshimet që janë bërë për të vendosur një fare mbrojtje siç është mbrojtja nga arrestimi nga kontrolli personal dhe i banesës. Pra në këto dy momente deputeti mbrohet nëpërmjet imunitetit. Në raste të tjera mund të filloj çështje penale në drejtim të tij. Mund të bëj hetime përveç se në dy momente nuk autorizohet prokuroria pa marrë autorizimin nga Kuvendi që ti drejtohet gjykatës dhe për të vendos gjykata nuk vendos as Kuvendi.
Ky është momenti që jemi tani dhe socialistët thonë është politik ky moment sepse Saimir Tahiri po kërkohet të arrestohet politikisht nga prokuroria që po përdoret.
Sigurisht që Saimir Tahiri është anatemuar për shkak të qene së tij si Ministër i Brendshëm. Për shkak të veprimtarisë së tij politike. Ka pasur debate nga opozita, mazhoranca brenda për brenda. Nga vetë deputetët e Partisë Socialiste. Por nuk ka filluar asnjëherë çështjen prokuroria. Për ta ndarë momentin politik nga momenti juridik kur ka filluar çështja në ngarkim të z.Tahiri. Pra nuk besoj që Prokuroria ka pare debatet brenda asamblesë apo kulisat që janë brenda PS dhe ka marrë procesverbalin e mbledhjes dhe erdhi të kërkonte heqjen e imunitetit.
Këtë jo por Z.Berisha e ka sulmuar pafund…
Por prapë prokuroria nuk ka marrë procesverbalin në Parlament. Ato ça thotë Z.Berisha, Z.Basha apo deputetë të tjerë, të marrë procesverbalin dhe me atë të vij të kërkojë brenda ditës në komision, në Kuvendin e Shqipërisë, në Këshillin për heqjen e imuniteteve dhe mandateve. Të kërkojë heqjen e imunitetit dhe duke ngritur akuzë mbi ato ça ka deklaruar z.Berisha, z.Basha apo dhe ato çka deklaroi dy vjet më pare ish Komisari Dritan Zagani. Prokuroria nuk ngriti akuzë në këtë moment dhe them që i është ruajtur këtij momenti politik. Por në një moment tjetër ku ne kemi katër të arrestuar në Itali. Nga Antimafia italiane , kemi të bërë publik disa emra kapur me 3.5-3.8 ton kanabis. Dhe kur bëhen të ditura disa indicie të tjera që Habilajt kanë një fare lidhje me z.Tahiri sigurisht që Prokuroria ka pasur detyrën për të filluar çështjen dhe besoj këtu nuk kemi motiv politik që thotë PS, që ta kuptojnë të gjithë. Kur shohim brenda ditës që ka deklarime në shtetin Italian dhe Antimafia italiane për shkak të përgjimeve ka dale dhe emri i z.Tahiri. Kemi pranuar të gjithë që për katër vjet në Shqipëri është shtuar mbjellja e kanabisit. Besoj se këtë nuk e mohon dot askush.
Me paturpërinë më të madhe deklaron se e mora vesh kur tha ai polici në televizor…..
Në qoftë se mban përgjegjësi Saimir Tahiri për këtë le ta fusin. Por në këndvështrimin tuaj, ju keni qenë dhe prokuror e keni bërë këtë detyrë. Jeni i bindur se dosja është e kopsitur, nuk dua detaje.
Pavarësisht se seanca ishte me dyer të mbyllur, gati fjala ime në Këshillin për mandatin dhe imunitetin, u fillua me pro kërkesës për dhënie të autorizimit të organit të prokurorisë, mbështetje të organit të prokurorisë. Ndarje midis interferencave politike nëse ka apo jo.Dhe sigurisht që kam deklaruar dhe deklaroj që nuk më ka autorizuar askush, as i kam kërkuar askujt që të bëhem avokati i Tahiri apo dikujt tjetër. Nuk kam për tu bërë as prokuror dhe as gjyqtar pavarësisht nga formimi im në këtë Këshill. Po them gati fjalën që kam deklaruar duke thënë që jam shumë I ftohtë në këto momente. Inatet politike, personale I kam lënë jashtë kësaj zyre. Nuk kam ndonjë inat personal, edhe nëse do kem i kam lënë jashtë kësaj shumë studio. Po them shumë i ftohtë unë jam anëtar i Këshillit të mandateve dhe imuniteteve, ligjërisht më kërkohet nëse ka një kërkesë nga prokuroria, ka një të tillë me një relacion shoqëruar me të dhëna prova. Provat nuk i gjykojmë sepse nuk mund të jem trup gjykues, prokuror gjyqtar në pozicionin që jam. Ka kërkesë ka relacion, ka disa të dhëna tjera, ka një akuzë ndaj Z.Tahiri. Kaq kërkon ligji për ne. Për ti hapur rrugë në çdo rast kësaj kërkese dhe këtij autorizimi. Për të sqaruar pak më tej. Ka një raport të Komisionit ë Venecias, një arbitër i gjithë pranuar nga ne me nivelin më të lartë të ekspertizës. Ai është ylli polar që na orienton nuk besoj që ne kemi bindje sa ta manipulojmë politikisht. Besoj që këtë e pranojmë të gjithë.Që komisioni i Venecias të manipulohet politikisht aq më shumë apo më pak nga klasa politike në Shqipëri.
Atë Gianni Buquiçhio e keni pak qejf ju të LSI…
Për hir të së vërtetës seancës së kaluar si ish Ministër i Drejtësisë unë kam kërkuar zyrtarisht që Komisioni i Venecias të jetë në Shqipëri për shkak të ndryshimeve të reformave të thella që ne do të bëjmë dhe të kërkonim një ekspertizë të nivelit më të lartë. Kur të flisnin ata të heshtnim ne të gjithë. Dhe këtë kam thënë dhe në fjalën time. Nuk besoj që as unë as Z.Manja ngrihemi në nivelin e Gianni Buquiçhio Për shkak të eksperiencës, formimit të tij dhe pozicionit ku ndodhet. Dhe besoj Komisioni i Venecias ka orientuar të gjitha palët por jo Shqipërinë se s’ka dalë raporti për Shqipërinë. Raporti ka dale për të gjitha shtetet e BE për ti orientuar që ka të bëjë me imunitet. Dhe në çdo rast imuniteti duhet të hiqet. Përveç se kur ka interference politike. Por parlamenti nuk mund të kthehet në gjykatë. Të shikojë fajësinë, pafajësinë, provat. Janë gjëra të shkruara nga Komisioni i Venecias.
Po përderisa ata thonë përveç se kur ka interference, kush e ndan këtë?
Këshilli i mandateve dhe imuniteteve,klasat politike, deputetët prandaj kërkohet një analizë nëse ka interferenca politike që do të thotë opozita e bashkuar do të rrëzojë qeverinë dhe PS ka vetëm 71 deputetë dhe ne gjetëm pikën më të dobët. Saimir Tahirin dhe për disa arsye po godasim këtë që të bjerë qeveria. Nuk i ka se ka jo 74 po 78, nëse ikën z.Tahiri bëhet zëvendësimi për shkak të sistemit. Pra nuk e marr akuza politike për ti veshur juridikisht dhe për ta sjell në parlament dhe për ta zhveshur. Apo për ta denigruar Z.Tahiri. Ka një akuzë, unë nuk e bëj dot rolin as të prokurorit as të gjyqtarit. Sigurisht që ajo akuzë e ngritur ndaj Z.Tahiri është një lajm i keq për të, është një lajm i keq për PS, për grupin parlamentar.
Është mirë për Shqipërinë që një ministër të shkojë nëse ka bërë atë që ka bërë…
Lajm i keq për gjithë klasën politike pa përjashtim, për mua dhe gjithë të tjerët që një ish ministër apo një ministër po dhe një drejtues i lartë, përfshihet në një akuzë shumë të rëndë të trafikut të lëndëve narkotike , të grupit të strukturuar kriminal dhe të korrupsionit masiv të zyrtarëve të lartë. Është akuza më e rëndë ngritur ndaj një zyrtari. Nuk ka elemente politike të shpifjes, apo elemente të tjera por ka një akuzë konkrete, 4 ton kanabis të kapur në Itali dhe 4 ton të tjera që janë kapur në Vlorë. A ka lidhje Z.Tahiri është çështje e të hetuarit, çështje provash. A vjen kjo nga mungesa e eksperiencës apo paaftësisë së drejtuesve të lartë të policisë, të drejtuesve të tjerë të lartë lokal, kjo është çështje për tu hetuar. Jemi midis mungesës së eksperiencës të z.Tahiri, paaftësisë së drejtuesve të lartë apo të lidhjes së tyre me elementë të botës së krimit, gjë që është për tu hetuar. Ka disa indicie, makina etj…unë nuk do të doja që të merrja të dhënat e komisionit dhe ti bëja publike këtu.
Në këndvështrimin tuaj çfarë do të ndodh të mërkurën? Mendoni se do të ndryshojë diçka në sjelljen e deputetëve socialistë? A mund të ndahet kjo kërkesë, siç pretendojnë socialistët, të cilët japin dakordësinë për hetimin dhe kontrollin e banesës, por jo për arrestimin?
Edhe me humor, z.Strazimiri kur kërkoi që të hidhej në votim kjo pikë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve tha që ky kontroll të jetë i befasishëm. Nuk ka të bëjë me befasinë e kontrollit. Kemi parë nga praktika shqiptare, por edhe ajo botërore që sado ti fshihesh lë diku gjurmë, lë diku elementë që një prokuror profesionistë bashkë me partnerët e tjerë arrin të gjej elementë, arrin të gjej prova dhe të dhëna. Mund të jetë një magazinë kjo çështje, një magazinë pa inventar, por një prokuror profesionist, i qetë, me logjikë të ftohtë, me logjikë profesionisti besoj se do ti qepi të gjitha këto.
Në këtë valë Vetingu, kemi ne të tillë prokurorë të qetë? Se me presionin e skanimit që do u bëhet këtyre…
Po kjo është një arsye më shumë. Kjo tregon që janë profesionistë, jashtë çdo ndikimi të politikës për shkak të karrierës së tyre, sepse po ti shikoje dhe prokurorët janë midis moshës 30-35 vjeç, pra do u duhen dhe 30 vjet të tjera për karrierën e tyre, nëse në këtë rast do të vazhdojnë këtë karrierë, apo ky është fundi i karrierës së tyre.
Mund tu digjet karriera, në këtë vend ku Drejtësia është e kapur nga politika?
Nëse nuk janë të ftohtë, nuk zbatojnë ligjin, po nga prokurorë kthehen në politikanë, besoj që është karriera e tyre.
A mund të ndahen këto kërkesa, të votojnë veç për njërën, sepse edhe këtu ka një debat?
Me aq sa kam ndjekur pjesërisht fjalën e zotit Rama ai deklaronte se japim dakordësinë që të mos dalë jashtë shtetit, çdo masë tjetër shtërnguese apo masë sigurimi që parashikon në Kodin Penal apo Kodin e Procedurës Penale duket sikur e ka në dorë z.Rama se çfarë do të bëjë gjykata. Absolutisht, ne duhet ta pranojmë që të gjithë që duhet të kemi një ndarje të pushteteve përfundimisht, pra politika dhe kryeministri ka rolin e vetë, dhe gjykata dhe prokuroria kanë rolin e vetë. Pra çfarëdo lloj vendimi që do marrim ne, në fund të fundit kërkesa e bërë nga prokuroria do verë në gjykatë. Do jetë gjykata e cila do të vendosi në lidhje me këtë kërkesë, gjykata e shkallës së parë, gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë. Pra janë 3 gjykata të tjera, të ndryshëm nga këta prokurorë që do të vendosin në lidhje me kërkesën e bërë. Pra nuk jemi ne, as unë, as z.Manja, që meqë kemi punuar 5 ditë në prokurori të vendosim ne, është kjo apo nuk është kjo, për të bërë një mbrojtje fanatike ndaj. Z.Tahiri apo dikujt tjetër.
Duhej të reagonte Prokuroria, ashtu siç reagoi dje ndaj z.Rama?
Nëse do ishte një deputet i nderuar, por nga radhët e fundit të parlamentit që do bënte këtë deklaratë, nuk besoj se Prokuroria do reagonte. Por kemi një qëndrim publik, politik të kryeministrit të vendit, që drejton vendin, që drejton maxhorancën, para grupit të vetë parlamentar përballë opinionit publik. Dhe ju e patë se si i krahasoi ai prokurorët. Po flasim për një koncept europian të ndarjes së pushteteve. Kryeministri bën detyrën e kryeministrit. Udhëheq politikisht vendin dhe s’mund të jetë kurrsesi as prokuror dhe as gjyqtar. Prokurori apo gjyqtari janë në pozicionin e vetë dhe kurrsesi s’mund të bëhen dhe të jenë politikanë dhe të bëjnë politikën penale. Pra janë disa gjëra të ndarë, dhe kjo është mangësia që kemi, kjo është klasa politike që kemi, dhe në fund të fundit këta janë dhe prokurorët dhe gjyqtarët. Nëse ne arrijmë nëpërmjet Reformës që të ndajmë pushtetet njëherë e mirë, të ndajmë konceptin, që kryeministri fatkeqësisht në të njëjtën sallë, në sallën e Komitetit Qendror kur kemi parë se si sillej shoku Enver ndaj Kadri Hazbiut, jemi në një rast tjetër kur shoku Enver nuk e lëshon shokun Hazbi këtë radhë, dhe u thotë gjyqtarëve dhe prokurorëve: unë nuk ja u nxjerr nga kjo derë. Nëse ai nuk e lë sot, cili është mesazhi për këta prokurorë dhe gjyqtarë nesër? Për klasën politike? Për Shqiptarët? Cili është mesazhi? Meqë z.Rama I ka 74 mandate dhe çfarëdo lloj akuze që të ngrihet ndaj deputetëve të tij: jo thotë, unë nuk ti lëshoj këta..
Tregon kjo ngjarje shumë për Reformën në Drejtësi, që flitet shumë, por bëhet pak nga politikanët?
Unë besoj që në 25 vjet kemi folur çdo ditë për reformën në Drejtësi. Është reformuar në 92-shin, 94-ën, 96-ën. Ka pasur hapa pozitivë. Janë me miliona euro dhe dollarë që janë investuar për të reformuar sistemin, sigurisht sistemi gjyqësor ka problemet e veta, të evidentuara nga shqiptarët të cilët e provojnëçdo ditë, por besoj që problemi kryesor është të klasa politike, se sa të ndërgjegjësuar në mentalitetin e tyre është klasa politike.
A u bë një nisje e dështuar e Vetingut dhe e reformës në Drejtësi me këtë që ndodhi?
Unë kam shpresë që Reforma nuk është e lehtë për tu bërë, jo vetëm si reformë për ta shkruajtur në letër, por edhe për ta zbatuar. Nuk është një ditë apo dy, sepse ka të bëjë me konceptet që ka njëri apo tjetri. Koncepte bizantine do të thosha në ndarjen e pushteteve, se sa koncepte europiane të ndarjes së pushteteve të klasës politike nga prokuroria apo gjykata. Dhe kjo nuk bëhet me një apo dy ditë. Nuk bëhet me një reformë.
Duhet të jenë pa imunitet deputetët, siç ka propozuar në grup z.Basha?
Kjo në fakt është një deklaratë e bërë nga LSI në parlament, pikërisht nga unë si deputet I saj që në tetor 2009, e konfirmuar nga disa fjalime në parlament dhe të mbështetura nga grupi parlamentar I LSI. Në ndryshimet kushtetuese që janë bërë në 2012 ka patur disa diskutime nëse duhej hequr imuniteti apo jo. Është rasti I parë që një forcë politike nëpërmjet kartonit të vetë do të mbrojë z.Tahiri. Unë besoj që do të jetë gjykata ajo që do të vendosë, për fajësinë apo pafajësinë e tij, pavarësisht çfarë qëndrimi mban Prokuroria. Shikoj një frikë, një panik nga maxhoranca, që mund të ketë një reaksion zinxhir ndaj z.Tahiri. Mund të ketë deputetë dhe nga forca të tjera politike, politikanë të ndryshëm. Këta kanë hallin e tyre dhe nëpërmjet kartonit nuk duan të hapin një precedent të ri.
Për tu kthyer çështjes së provave, mendoni se nëse z.Tahiri nuk është i arrestuar, mund ti manipulojë ato?
Diskutime ka nga më të ndryshmet. Ne kemi një zinxhir komandues të Policisë së Shtetit përveç Drejtorit të përgjithshëm të gjithë drejtorët nëpër qarqe që punuan për 3 apo 4 vjet për z.Tahiri, kur erdhi z.Xhafa i hoqi me një të rënë të lapsit. Për shkak të raporteve dhe informacioneve të dhëna nga Shërbimi Informativ Kombëtar hoqi të gjithë drejtorë dhe nuk dha asnjë lloj shpjegimi, por i hoqi sepse nuk kishin bërë detyrën.
Por Kreun e Policisë së Shtetit nuk e hoqi?
Është çështje për tu parë, dhe po them që nëse z.Xhafa i hoqi gjithë këta drejtues, por ka akoma dhe të tjerë, diku në një detyrë më lartë apo më poshtë, janë akoma në Policinë e Shtetit dhe kemi vetëm institucionin e Prokurorisë që duhet të gjejë prova. Pa bashkëpunimin e policisë, gjë që nuk ndodh. Duke filluar që nga ministri i brendshëm që është z.Xhafa, i besoj për shkak të profesionalizmit që ka, ka një karrierë të gjatë në politikë.
Por edhe ai i doli në krah Tahirit, nuk ka prova tha…
Ditën e parë tha ndryshe, është drejtësia italiane, jo policia shqiptare, pastaj tha ndryshe. Edhe ai njeri është, tundohet. Edhe ai është pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Edhe ata ishin ndryshe ditën e parë, ndryshe ditën e dytë.
Çfarë ndodhi që ndryshuan?
Unë kam shpresë dhe u bëj thirrje publike, që edhe nesër mbase ndryshojnë. Kam bindjen që deri në minutën e fundit do të ndryshojnë.
Do t’ja heqin imunitetin z.Tahiri?
Duhet t’ja heqin. Duhet ti hapin rrugë drejtësisë.
Mediat flisnin sot për 3 milionë euro për blerje deputetësh?
Për të sqaruar ju dhe opinionin publik, në ndryshimet kushtetuese ka pasur debate të ndryshme. Votimi është i hapur, ka patur tendenca, kemi dëgjuar zëra, që do tentohet që votimi të jetë me dyer të mbyllura. Po të lexoni nenin 73 të Kushtetutës, në paragrafin e katërt thuhet shprehimisht që votimi është i hapur, por diskutimet mund të bëhen me dyer të mbyllura.
Ka një vendim të unifikuar si grup?
Sigurisht që janë bindur të gjithë, duke lexuar vetëm pjesë dhe pasazhe nga Komisioni i Venecias se çfarë thotë për rastet e imunitetit, në cilat raste hiqet dhe nuk hiqet imuniteti. Besoj që kanë qenë të bindur nga vendimi politik që kemi marrë disa vjet më parë, një vendim politik për të gjithë deputetët e LSI, por edhe për gjithë deputetët e tjerë si dhe për rastin konkret. Edhe traditën e ndjekur këto vite, për 4-5 raste në sesionin e kaluar, që u është hequr imuniteti për arsye të ndryshme, ka patur tendenca për qëndrime të ndryshme, por në fund të fundit, Këshilli për Imunitetet dhe Mandatet ka arritur të dalë me vetëm një vendim, ka nxjerrë vetëm një raport. Është rasti i parë që dalim me dy raporte, sepse nga 10 deputetë jemi ndarë 5 me 5. Në parlament do të lexohen dy raporte. Për mendimin tim, qëndrimi i Partisë Socialiste këta deputetë i ka kthyer në gjykatës, sepse e pranonin vetë kur thonin që ne nuk jemi gjykatës, por këtu jemi pothuajse një gjykatë. Të paturit njohuri apo eksperiencë, kur je deputet nuk mund ti japësh vetes rolin e prokurorit apo të gjykatësit.