Ndahet nga jeta Farudin Hoxha, projektuesi i veprave hidroenergjetike në Shqipëri

Akademiku Farudin Hoxha, ish-ministër i Ndërtimit dhe projektues i shumë veprave hidroenergjetike në Shqipëri, është ndarë sot nga jeta në moshën 82-vjeçare.

Akademia e Shkencave u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të profesorit Farudin Hoxha.

Sakaq, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” shkruan se parësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, ai nuk reshti për asnjë ditë së kontribuari për vendin me mendimet dhe këshillat e tij të vyera.

Teksa i shpreh ngushëllime familjarëve, ministri shprehet se “Sektori elektroenergjitik humbi njeriun që me veprat e tij nuk do të harrohet asnjëherë”.

POSTIMI I MINISTRIT GJIKNURI
Me hidhërim mësova lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesor Farudin Hoxhës. Lajm i rëndë, që prek familjarët e tij, kolegët, miqtë dhe dashamirësit e shumtë. Profesor Farudini do të mbahet mend gjatë si projektuesi i disa prej veprave më madhështore të energjitikës në Shqipëri. Pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, ai nuk reshti për asnjë ditë së kontribuari me mendimet dhe këshillat e tij të vyera. Familja humbi njeriun e dashur! Kolegët dhe miqtë humbën bashkëudhëtarin e shumë sfidave! Sektori elektroenergjitik humbi njeriun që me veprat e tij nuk do të harrohet asnjëherë. Të gjithë, kemi humbur një njeri të mirë! U prehsh në paqe Farudin!

 

 

SHKARKO APP