Ndahet nga jeta talenti kosovar Ilir Beqiri
Një lajm i rëndë trondit botën e sportit kosovar dhe gjithë hapësirës shqiptare. Kikbokseri Ilir Beqiri ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave, djaloshi me origjinë kosovare vuante prej shumë kohësh nga sëmundja e kancerit, por nuk arriti t’ia dilte mbanë pas shumë viteve kurim. Disa kohë më parë ai foli edhe për mediat zviceriane për sëmundjen e tij. Ilir Beqiri garonte si profesionist në sportin e kikboksit. Pasioni për këtë sport nisi pas mësimeve të para që ai mori nga vëllai i tij, Shemsi Beqiri, emër ky i njohur në garat Superpro të kikboksit. Karrierën e nisi në Zvicër ku jetonte prej shumë vitesh me familjen e tij. Iliri ishte një nga sportistët më të talentuar në disiplinën Thai të kikboksit ku garojnë edhe tre vëllezërit e tjerë të familjes Beqiri.