
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka njoftuar në seancën plenare ndarjen nga jeta të mjekut dhe ish-deputetit të PS Ylli Ziçishti.
Balla vlerësoi kontributin e tij në mjekësi, duke e cilësuar një kirurg të respektuar, i cili gjatë gjithë jetës së tij u kujdes për shëndetin e të tjerëve. Ai kujtoi gjithashtu peripecitë që Ziçishti kaloi gjatë regjimit komunist, kur përjetoi internimin.
Në këtë kuadër, Balla u propozoi kryetarëve të grupeve të tjera parlamentare që në një nga momentet e heshtjes në sallë të mbahej një minutë heshtje në nderim të tij.
“Para pak çastesh është ndarë nga jeta mjeku dhe kolegu ynë në këtë sallë, Ylli Ziçishti, i cili gjatë gjithë jetës së tij si mjek u kujdes për shëndetin e të tjerëve. Ndaj, si një ish-koleg, si një mjek i nderuar dhe kirurg i respektuar, do të doja t’u propozoja kryetarëve të tjerë të grupeve që në një nga momentet e solemnitetit të pranisë në sallë të mbanim një minutë heshtje”, u shpreh ai.