Nderi apo qederi i Kamzës

Nga Ilir Levonja/Shqiptarët nuk kanë të sosur me paradokset e tyre. Pas Sarandës kohë më parë. Kur shpalli Hillari Klinton-in qytetare nderi. Rendi i erdhi Kamzës. Qytezës së krijuar nga migrimet. Pra lëvizjet e popullatës brenda vendit. Një lloj i sojit të emigrimit. Kështu edhe Kamza. Qyteti i minierave dhe instituteve bujqësore të planeve pesë vjeçare në Shqipërinë socialiste. Atë demokratike etj. Do mblidhte në gjirin e saj popullatë heterogjene mes malsisë së Martaneshit, pra Burrelit. Dhe asaj rreth Korabit e Tomorit. Duke e bërë sot një qytet të madh. Aty në brinjë të kryeqytetit të shqiptarëve. Shkurt e saktë, është një qytet migrantësh. Të cilët sot janë ashti i saj. Mirëpo, ashtu si përciptas që jemi. Ashtu fluturaksa.

trump-meziu

I detyrohemi një medalje kallpe të porsazgjedhurit presdient i shteteve të bashkuara, Donald Trump. Megjithëse në politikat e fushatës së tij elektorale. Ai doli dhe deklaroi se gardhin prej hekuri midis Amerikës dhe Meksikës, do ta bënte mur të lart betoni. Si e si të ndali ardhjet e meksikanëve në tokën e premtuar. Sot ky është një mur ekzistent, i papërfunduar. Që presidencë pas presidencë shton miljet. Ose kilometrat…, Nga Kalifornia drejt lindjes nga gjiri i Meksikës. Madje ai përdori një shprehje vulgare të tillë si, do jenë pikërisht vetë meksikanët ata që do mbulojnë shpenzimet e betonit.
Kjo deklaratë është një nga hitet e botes së internetit edhe sot e kësaj dite. Shumë meksikanë gazmorë nga ana tjetër e kangjellave prej hekuri. Qeshin nën hijet sombrerove dhe thonë se do hapin më shumë pika shitje ambulantësh. Do shtojnë shkallët dhe padyshim që fitimi nga dhënia me qera e tyre, do jetë më i madh. Pra pa iu futur më thellë historikut të shëmtuar të murit. Të mureve në përgjithësi. Apo të gjerdheve me tela ku Europa është kampione e dasimeve. Që nga koha e blloqeve dhe e Gjermanive, deri sot tek rrjetat e Hungarisë, Bullgarisë etj…, me emigrantët sirianë. Pa përmendur shifrat e të vdekurve. Të atyre martirëve kacavirur kangjellave. Terur hekurave për të qënë të lirë. Dhe ku Shqipëria e ka më zi akoma këtë plagë njerëzore. Ne shkojmë e dekorojmë, bash aty në vendin e migrantëve. Atë më anti emigrantin. Kjo për të plasur syrin e keq. Të absurdeve me ok, tonat. Si një ironi e hidhur e vetvetes. Edhe pse kemi me dhjetra heronjë të heshtur. Njerëz nga e përditshmja jonë, që do zbukuronin më fort ashtin e sojit tonë. Prapë ne shkojmë përtej. Përciptas. Të bindur se po bëjmë më të mirën për vendin tonë. Kjo është një marrëzi që vetëm sojit shqiptar i përket. Dheut ku heronjtë e së përditshmes shesin sallatë jeshile. Mbijetojnë… në provincat si ato të El Dorados. Nën hijet e statujave në ajër. Gjoja të lavdishme për bindjet politike. Pikërisht pse janë kundër ekzistencës së tyre. Asaj së sotshmes. Mbledhur, gëzuar, dashuruar e trashëguar me njëri-tjetrin. Bërë fqinjë. Nga malësitë e Martaneshit, Korabit e Gramshit.
U qofshin ditët e marrëzive sa më të shkurtra bashkiakë provincash.
Ndryshe nuk ka se si i shpëton vithisjes ai dhe’ i bekuar.

Lexoni edhe:

Surpriza e Bashkisë Kamëz, i jep titullin “Qytetar Nderi” Donald Trump

SHKARKO APP