Ndërmarrja

 

Nga Edison Ypi

Me surretër të shtrembëruar nga pangrënia, veshur e mbathur si mos o Zot, me nën sqetull bukë me vete mbështjellë me ZP, mëngjezi e shtynte turmën e puntorëve drejt portës së ndërmarrjes si rryma e ujit merr me vete copat e mutit drejt vrimës së WC-së.

Ndërmarrja ishte një lumë me zhul, një det me pisllëk, një mal me horrllëk.

Drejtori i ndërmarrjes, i cili, si rregull i hekurt, vinte nga familje që kishin lidhje me luftën, i përkiste një lloj "kaste" proletare të cilët qarkullonin ndërmarrje më ndërmarrje. Pyetja që pëshpëritej më tepër për drejtorin e ri ishte; "Erdhi me ngritje apo me zbritje ?" Drejtorët që vinin "me ngritje" të neverisnin me një lloj entuziazmi dhe ngutje të pështirë për të provuar se ngritjen e meritonin. Drejtorët që vinin "me zbritje", në përpjekje për ta paraqitur zbritjen si provizore dhe jo si rrokullisje drejt greminës, pra me shpresë për tu rehabilituar, ishin më të ndyrët. Çfarë karakterizonte, bashkë me drejtorin, edhe të gjithë nëpunësit e tjerë, ishte përulja deri në llaftari ndaj eprorëve, egërsia e pakufishme ndaj vartësve. Për ndonjë drejtor me zell të papërmbajtur partiak dhe proletar, spiunët që i rrinin rrotull thoshin me krenari; "është bolshevik".

Kryeinxhinieri ishte më pak partiak se drejtori. Jo se nuk dëshironte. Sepse ruante hierarkinë e fëlliqësisë. Kryeinxhinieri, jo rrallë, ishte dikush që cilësohej "i ri me perspektivë". Pra i shenjuar nga partia si "i besuar" që mund të merrte në dorë stafetën, të ardhmen. Një shembull; Miku im më i mirë i asaj kohe të skëterrshme, Ilir Strazimiri, më kishte njohur me Mentorin, një vëlla të Bamir Topit i cili tani nuk jeton më. Iliri, unë, dhe nja dy a tre të tjerë rrinim bashkë. Bamiri nuk afrohej me ne. E pyeta një ditë Mentorin; Pse nuk rri me ne Bamiri ?! Përgjigja qe llahtarisëse; Bamirit i duhet të rrijë veç se është "i ri me perspektivë". Koha provoi se Mentori kishte pasur të drejtë. Por përgjysëm; Vëllai i tij me perspektivë karriere, vëllai im me perspektivë burgu.

Shefi i kuadrit, ishte, si në çdo ndërmarrje, një sigurimist që mbante shënime për të gjithë dhe për gjithçka. Diku nga mesi i viteve '90, pata rastin ta shoh çfarë kishte shkruar shefi i kuadrit për mua; "I pashoqërueshëm, i pazellshëm, jo i gatshëm për iniciativa si puna vullnetare, aksionet….". Mund ta kisha kopjuar, apo edhe marrë origjinalin, si kanë bërë e po bëjnë disa, që ta valëvitja si flamur për tu mburrur me plagët. Por ishte aq çnjerëzore dhe aq e mënxyrshme ajo copë letër sa jo vetëm nuk e mora por u mundova ta harroj.

Shefi i planit, shefi i financës, shefi i furnizimit, dhe një lukuni shefash të tjerë ishn një gërrditje aq e madhe sa del jashtë aftësive deskriptuese të penës t'ime.

Sekretari i partisë ishte një pisanjos dhe një budalla i emëruar me marifet nga drejtori për ta bërë zap atë dhe për të pasur hapësirë manovrimi.

Spiuni, përderisa ishte spiun nuk mund njihej, vetëm mund të hamendësohej. Megjithatë, që të ruheshe prej spiunëve duhej ta dije cilët ishin. Duke nisur nga meraku se mund t'i bije kot më qafë ndonjë gjynafqari që me spiunllëkun s'kishte lidhje, supozimet se cili ishte spiuni apo spiunët, ishte një stërmundim sa i vështirë dhe delikat që lidhej me aftësinë seleksionuese të spiunëve institucionalë të paguar nga moria e spiunëve vullnetarë që ishin më të zellshimit dhe më të rrezikshmit.

Puntori ? Puntorit nuk i futem. Puntorin nuk e njoh. Puntorit nuk i jam afruar. Puntori ishte as mish as peshk as dell as ind as qelizë, askurgjë. Puntori ishte një turmë kërmillore që bënte sikur punonte, hiqej si i lumtur, mbushte mbledhjet, mitingjet, parakalimet.

Nuk kam asnjë ide si mund të ketë qënë mbledhja e partisë. Bëhej e mbyllur. Di vetëm si atje vendoseshin në mungesë fatet e secilit.

Mbledhja e kolektivit ishte, si ka thënë Lasgushi, një mulli ku flisnin gjithmonë të njëjtët legena. Ndodhte që mbledhja e kolektivit merrte kthesa të befta. Këto kthesa lejoheshin sa kohë çështjet nuk kishin lidhje me kurvin e partisë dhe partinë e kurvit.

Ndonjë të djelë na detyronin të shkonim në aksion. Një herë, në një nga këto të djela, na shpunë për të ujitur ullinj në Petrelë. Në Petrelë, ndërkohë që të tjerët ikën tek ullinjtë, unë u ngjita në kala. Për këmbimin e ujitjes së ullinjve me kënaqësinë e kqyrjes së kalasë, pra për mungesën në aksionin e të dielës më hoqën ditën e punës të së hënës. Paradoks. Por bereqaves. Mund të kisha përfunduar edhe më keq. Sabotim bujqësie, për shembull.

Ndërmarrja kishte mencë me qen e mace nën tavolina.

Në mencë shërbehej kafe prej gjethe çikore, disa thonin prej plepi, të cilën kafe shumica e rrufisnin me murin përballë.

Në mencë mund të haje supë. Supa e mencës, një koleksion dhjamrash dhe lëkurash, vinte me bidona nga "1984" e Oruellit.

Për këndin e emulacionit kujdesej një spiun.

Sloganet mbi mure i shkruante një koleg i tij.

Zërin e Popullit mëngjëz për mëngjez e lexonte një surratbaltë.

Pjesë nga "veprat' e kurvit i llomotiste një turiqen.

Orën e edukimit politik e drejtonte një kurvë.

Të dashuroheshe dhe të martoheshe me një lopë, të cilësonin menjëherë "çun flori" që vlerëson si duhet vlerën e pallogaritshme të brendësisë, që refuzon jashtësinë mashtruese, dhe dyert e rrugëve të karrierës të hapeshin kanat më kanat.

Edhe po të mos punoje fare, sa më i pisët të ishe, sa më rrallë t'i laje rrobat dhe trupin, aq më puntor të shpallnin.

Po të kishe ndonjë "cen" sado të vogël në biografi, ta zemë, nëse u tekej të thoshin se disa farefisër të tutë në fshat nuk ishin treguar mjaft vigjilent kur nga ai fshat provoi të arratisej filan armik ose fistek kulak por nuk mundi sepse e vranë, pas kësaj nuk bëje dot hajër as i pisët as i pastër, as malin e Dajtit ta sheshoje, pas kësaj duhej thjesht të vegjetoje duke j'u lutur në fshehtësi Zotit shyqyr që të lanë gjallë.

Në prag të festave të nëntorit, 1 majit etj. tre a katër puntorë të ndërmarrjes zhdukeshin. Vonë mora vesh se ditzinjtë leckamanë që s'kishte ku t'i kapte as qeni konsideroheshin "kontigjent krimi", "të rrezikshëm" që mund ta prishnin festën, i internonin.

Mbaj mend dy që vdiqën nga uria.

Një i vetmuar që jetonte në një barrakë për të cilin thuhej se vite më parë kishte qënë i togës së pushkatimit me zorrët e thara mbledhur shuk u gjet i vdekur 100 metra nën kinostudion e atyre mutërve që boshatisën trutë e shqiptarëve dhe sot e kësaj dite mbahen për kollosë të artit dhe japin intervista nëpër ekrane.

Tjetrit, që kishte mbaruar Shkollën Teknike të Fultz-it, ia gjetën kufomën mbuluar me miza pas tre ditësh që kishte vdekur brenda një barrake tek "Kroi i Fokës", rrëzë një përroi, ku nis ngjitja për në Krujë.

Në ndërmarrje mund të bëje sa të doje punë private gjatë orarit të punës. Të ndreqje biçikletën, për shembull, ishte më se normale.

Nëse dikujt i duhej ndonjë vegël dhe nuk e gjente dot, nuk mërzitej aspak. Do dilte me siguri një mik që t'i thoshte; Pa merak, ta sjell unë, kam në ndërmarrjen time.

"Ndërmarrja ime", "ndërmarrja jote", ndërmarrja e këtij", ndërmarrja e atij", përbënin një muzikë nën tingujt e së cilës mund të vallzoje.

Në ndërmarrje mund të vidhje gjithçka.

Mbahet mend pohimi madhështor i dikujt që tha; Mund ta vjedh të gjithë ndërmarrjen. Me të vetmin kusht; ta ndaj në copa sa t'i nxërë trasta.

Çfarë prodhonte ndërmarrja ?

Ndërmarrja prodhonte një artikull me vlerë të pallogaritshme për ekonominë, si për të tashmen e bakërrtë dhe për të ardhmen e florinjtë, pa eksode masive, pa skema mashtruese financiare, pa eksportim kurvash, pa trafik hashishi, pa korrupsion, pa depërtim të kulturës kapitaliste borgjeze. Ky produkt quhej "Lesht e Currit".

Në ndërmarrje kishte edhe njerëz të cilët e urrenin për vdekje kurvin dhe ndërmarrjen e tij me të cilët mund të flisje në fshehtësi për çfarë të doje.

Me Ëngjëll Kodhelin mund të flisje për kanconeta dhe për filmin e natës së shkuar tek "Cinema di Notte".

Me Anën për Modën.

Me Klementin për "Panairin e Parmës".

Pyete shqiptarin e sotëm; Si ishte ndërmarrja ? Po nisi të tregojë episode gazmore me shef kuadri, drejtor, kryeinxhinier, brigadier, e ke gjetur atë që të ka spiunuar, ndyrësirën që ta ka nxirë jetën.

Në mbarim të gjoja orarit të mender punës, puntorët dilnin nga ndërmarrja si shpërthimi i pusetës së ujrave të zeza.

"Mapo"

SHKARKO APP