Ndërprerjet e energjisë, OSHEE: Për shkak të rritjes së konsumit, po punohet për riparimin e difektit
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njofton se për shkak të rritjes së menjëhershme të konsumit të energjisë, si rrjedhojë e rritjes së temperaturave, gjatë ditëve të fundit janë konstatuar një sërë defektesh në rrjetin e shpërndarjes në kryeqytet.
Më problematike, situata është shfaqur në rrethinat e qytetit dhe fshatra ku rrjeti është edhe më i amortizuar. Rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, një defekt në fiderin 18 të n/stacionit Kashar ka lënë pa energji disa pallate pranë Kombinatit të Mishit Yzberisht dhe në Unazën e re.
Brigada e avarive e cila ndodhet në terren duke punuar me intensitet për zbulimin dhe riparimin e defektit në një kohë sa më të shpejtë, ka mundur të rikthejë energjinë elektrike rreth orës 15.30 të ditës se sotme tek të gjithë abonentët.
Këputja e përcjellësave ka shkaktuar mungesë për disa orë të energjisë elektrike edhe në zonën e Freskut në Tiranë. OSHEE ka mundur të riparojë dëmin e shkaktuar duke kthyer energjinë elektrike në këtë zonë.
OSHEE garanton abonentët se nuk ka ndërprerje të planifikuara të energjisë, me përjashtim të rasteve kur Operatori i Sistemit të Transmetimit kryen remonte në n/stacione. Në çdo rast të tillë, OSHEE bën publike oraret e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre.
OSHEE ju bën me dije se në faqen e saj zyrtare në internet www.oshee.al gjeni të publikuar numrat e telefonit të dispeçerive në gjithë vendin, ku qytetarët mund të japin dhe të marrin informacion për defektet apo ndërprerjet e energjisë në zonat e tyre të banimit.