Ndërron jetë gazetarja e njohur Rezarta Reçi
Ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare pas një beteje të gjatë me sëmundjen e rëndë, gazetarja e njohur Rezarta Reçi. Gazetarja e nisi rrugëtimin e saj në Radio Tirana prej më shumë se 30 vitesh.
Më vonë ka prezantuar emisione të ndryshme dhe ka qenë edhe autore. Reçi ishte autore dhe moderatore e emisioneve të shumta, ndër të cilat spikati “Arratia e Peshkut të Kuq”, ku intervistoi qindra personalitete dhe solli për publikun histori me thellësi sociale dhe njerëzore.
Përveç punës si gazetare, ajo ishte edhe autore e disa librave, përfshirë vepra me intervista dhe rrëfime personale që reflektonin eksperiencat e saj jetësore dhe profesionale. Vitet e fundit, Rezarta Reçi i ishte përkushtuar edhe shkrimit të librave, ku kishte shkruar “Kolonë Zanore” dhe “Zhbërja”.
Reçi njihej gjithashtu për qëndresën dhe kurajon me të cilat përballoi sëmundjen e rëndë, duke qenë një shembull i fortë i përkushtimit ndaj jetës dhe profesionit deri në ditët e fundit.
Lajmi u dha nga familja në një njoftim në rrjetet sociale. “Rrezarta jonë u shua në paqe mes njerëzve të zemrës, dashurisë, respektit dhe përkushtimit të miqve, të afërmve dhe mjekëve që i qëndruan pranë në të gjithë sfidën e saj të viteve të fundit.
Pritja do të bëhet pranë Agjencisë Funerale “Univers”, rruga “Bardhyl”, nga sonte ora 20:30 deri në përcjelljen për në banesën e fundit, nesër, më datë 2 Shkurt 2026, ora 15:00, Tiranë. Me respekt, familja Reçi”
KOHA JONË SONDAZH

