Ndërtimet informale, lista me 148 pronarët që përfitojnë kompensim financiar
Subjektet që përfitojnë nga fondi mbi 257 milionë lekë
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar së fundmi listën e personave që do të trajtohen me kompensim, për pronat e zëna nga ndërtimet informale. Konkretisht bëhet fjalë për 144 subjekte, katër prej tyre me kërkesë të veçantë trajtimi.
Kështu, Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton se, më datë 07/09/2017, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të disa kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që deri më tani përfitojnë kompensimin/shpërblimin e saj deri në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
“Në përfundim të këtij procesi, nga 143 (njëqind e dyzet e tre) kërkesa, të depozituara në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, për 135 (njëqind e tridhjetë e pesë) kërkesa është shpërndarë kësti i parë, i dytë, i tretë, i katërt dhe i pestë (në total 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse), në shumën e përgjithshme prej 257 410 063.84 (dyqind e pesëdhjetë e shtatë milion e katërqind e dhjetë mijë e gjashtëdhjetë e tre pikë tetëdhjetë e katër) lekë, ndërsa për 8 (tetë) kërkesa është vendosur mbyllja e procedimit administrativ të tyre”.
Agjencia e Trajtimit të Pronës njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë në gjendje në llogaritë e tyre bankare në ditët në vazhdim.
Për shpërndarje fondi financiar për kompensimin e pronave me kërkesë të veçantë
Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton se më date 07/09/2017, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve për kompensim financiar me kërkesa të veçanta bazuar në nenin 17 pika 2, të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe Kreu IV, të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe shpërndarjen e fondit financiar dhe fizik për kompensimin e pronave” (i ndryshuar), vendimit të Këshillit të Ministrave nr.221, datë 23.03.2016 “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave”.
ATP bën me dije se aktualisht ka përfunduar shqyrtimin e disa aplikimeve me objekt kompensimin financiar me kërkesë të veçantë dhe me anë të vendimeve të saj ka miratuar pranimin e 4 (katër) kërkesave të paraqitura nga subjektet e shpronësuar për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, vendimet e të cilave përfitojnë kompensim financiar,
“Bazuar në të dhënat e vendimeve, që kanë njohur të drejtën e kompensimit subjekteve të shpronësuar, shuma totale që do të shpërndahet është 1 998 760 (një milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë) lekë, fond i cili do të mbulohet nga Buxheti i Shtetit. Për këto aplikime si rrjedhojë e implementimit të formulës së kompensimit të miratuar në Ligjin nr. 133/2015 buxhetit të shtetit i kursen një shumë prej 14 990 700 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë e shtatëqind) lekë”.