Ndërtohet këndi i 17 i lodrave, Veliaj: Projekti u nis në 2011 nga Rama

Bashkia e Tiranës ndërton këndin e 17-të lojërave në kryeqytet. Investimi i rradhës është kryer në ish-Fushën e Aviacionit, një projekt i nisur që në vitin 2011. Kryebashkiaku Veliaj tha se puna po vijon për rehabilitimin e 50 blloqeve të banimit.

Parku te ish-Fusha e Aviacionit është kthyer në një hapësirë argëtimi e rekreacioni për fëmijët, të rinjtë dhe moshën e tretë.

Bashkia e Tiranës, rikonstruktoi sheshin sportiv dhe ndërtoi këndin e 17-të lojërave në Njësinë 7.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky ka qenë një park i projektuar nga Edi Rama  në vitin 2011.

Veliaj: Jam shumë i lumtur që kemi mbajtuar fjalën që i dhamë komunitetit dhe fëmijëve. Siç kemi premtuar, ka fushatë, s’ka fushatë, ka pushime, s’ka pushime, ka zgjedhje, s’ka zgjedhje, ka numërim, s’ka numërim, puna në Bashkinë e Tiranës do të vazhdojë. Ky është këndi i 17 i lodrave, pas atij te Parku i Liqenit. Kur janë mbushur dy vjet nga administrata e re e bashkisë, kemi treguar se ku ka vullnet ka një rrugëdalje. Ky ka qenë një park i projektuar nga Edi Rama kur ai ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, është ruajtur si një zonë urbane për aktivitet çlodhës dhe më vjen mirë që edhe pse ishte degraduar pas vitit 2011, tani është rinovuar totalisht. Funksionojnë shatërvanët, ka stola të rinj, janë mbjellë pemë të reja, lule, kemi rregulluar fushën e basketbollit dhe këndin e lodrave për fëmijët.

Ai i bëri thirrje komunitetit që të ruajë investimet, ndërsa garantoi se edhe këtë vit do të ndërhyhet në 50 blloqe të tjera banimi.

Veliaj: Qytetarët të ruajnë këto investime të cilat janë asetet tona dhe besoj që duke i ruajtur, duke filluar nga linja e autobusit që kalon te Fusha e Aviacionit, tek ujësjellës-kanalizimet, tek infrastruktura dhe tek këto parqe, kemi më në fund komunitete të mira jo vetëm në sheshin “Skënderbej”, te Pazari i Ri, bulevardi, liqeni, por në çdo lagje të Tiranës. Këtë vit kemi përfunduar 50 blloqe investimesh, do të vijojmë me 50 të tjerë dhe besoj që deri në fund të mandatit do kemi prekur çdo bllok të qytetit të Tiranës. Është vetëm çështje kohe, sa të jemi tek rrugica apo rruga e lagjes tënde.

Investimi i realizuar nga Bashkia e Tiranës përfshin ndërtimin e një këndi sportiv fushë basketbolli, këndit të lojërave dhe këndit të forcës.

Gjithashtu, është mundësuar dhe ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur (stola, hije etj).

SHKARKO APP