Ndotja e ajrit kërcënon shëndetin e qytetarëve
Cilësia e ajrit në kryeqytetin e Kosovës ka arritur në një nivel alarmues, duke i tejkaluar të gjitha standardet e rekomanduara, shkruan gazeta “Zëri”.
Gjatë matjeve të fundit të bëra nga Ambasada Amerikane, Prishtina ështënë vendin e parë në botë me ajrin më të pashëndetshëm.
Ministrja e Ambientit dhe e Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka reaguar pas shifrave alarmuese të ndotjes së mjedisit në Prishtinë. Në rrjetin social “Facebook”, ajo ka shkruar se është e shqetësuar me këtë gjendje, por s’ka dhënë asnjë zgjidhje të këtij problemi.
“Ju të gjithë e dini që gjërat nuk zgjidhen me shkop magjik e aq më pak në vendin tonë, ku problemet janë të shtresuara e të trashëguara. Duke marrë parasysh që pos KEK-ut, fabrikave e veturave, ndotja e ajrit po vjen edhe nga përdorimi i thëngjillit për ngrohje. Ne kërkuam që institucionet përgjegjëse qeveritare të punojnë në gjetjen e alternativave për ngrohje dhe të fillojmë të reduktojmë përdorimin e thëngjillit”, ka shkruar Reshitaj.
Ajo ka shkruar se për këtë problem ka biseduar edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, dhe kanë marrë vendimin që të ndalin përdorimin e veturave në disa lagje të Prishtinës, si dhe të bëjnë falas transportin publik.
“Ne u pajtuam që në periudhat kohore kur kemi tejkalime të mëdha të normave të lejuara të ndotjes së ajrit të reduktojmë qarkullimin e veturave në disa lagje, duke e bërë pa pagesë transportin publik, gjë që shumë shpejt shpresoj se do të realizohet”, ka shkruar ajo më tej.
Në lidhje me ndotjen e ajrit ka folur edhe këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti, ditë më parë në një përgjigje dhënë për gazetën “Zëri”, duke pohuar se tanimë kanë hartuar dhe miratuar planin e aktiviteteve për përmirësimin e cilësisë së ajrit.