Ndotja e mjedisit, ja makinat që s’lejohen pas 1 korrikut ­

Pas datës 1 korrik të këtij viti automjetet me vit prodhimi nga 1984 deri në vitin 2002, kryesisht me benzinë, rrezikojnë të mos kalojnë kolaudimin për shkak të normave të larta të ndotjes.

Udhëzimi i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës i cili ka hyrë në fuqi më 16 mars 2015, nga data 1 korrik nis fazën e tretë dhe përfundimtare të zbatimit, ku do të aplikohet zbatimi rigoroz i normave të lejuara të elementeve ndotës nga gazrat e automjeteve në përputhje të plotë me direktivën evropiane.

Qytetarët do të mund të bëjnë verefikimin e normave të shkarkimit të gazrave që ka automjeti i tyre përmes kontrollit teknik të kryer një vit më parë. Sipas udhëzimit, asnjë automjet nuk do të mundet të kalojë me rezultat pozitiv kontrollin teknik të detyrueshëm në se ka nivelin e elementëve ndotës mbi vlerat limit të lejuar dhe të përcaktuar në direktivat e BE.

Ato automjete që nuk kalojnë kolaudimin për këtë shkak, nuk do të lejohet të qarkullojnë më, ose drejtuesve do t’u duhet të marrin masa për rregullimin e automjetit. Zbatimi i kësaj direktive pritet të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së ajrit, ku një nga burimet kryesore të ndotjes së tij është cilësuar transporti në rrugë.

SHKARKO APP