Ndriçim Xhepës i ngel “merak” pse nuk i puthi në buzë yjet e filmit shqiptar

Nëse i kujtoni reagimet, ndërsa shihnit në kolektiv (i gjithë fisi) filmin “Duaje emrin tënd”, kur Arseni, i shtrirë në vjeshtën e parkut, bën të puthë Jonën, do të qeshni me sikletin që mund të keni përjetuar. Pastaj u çliruat sepse Ndriçim Xhepa me Raimonda Bulkun nuk u puthën. Ata e dinin që, nëse do ta kishin bërë, sepse në fakt puthja ishte pjesë e skenarit, të nesërmen e shfaqjes së filmit, do të haseshin me gjithfarë reagimesh kur të dilnin në rrugë. Madje kjo, do të ishte më e pakta. Sepse në vitin 1984 kur është realizuar ai film, fshatrat e internimit o mbase edhe burgjet, ishin ende të uritur për njerëz. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, aktori Ndriçim Xhepa tha se ishte gati te puthte Rajmonda Bulkun në skenën kur ishin të dy të shtrirë në park.

Si ka qenë më parë, kur puthjet ishin të ndaluara? A diskutonit ju apo regjisorët, të përfshinit një skenë të tillë, qoftë edhe nëse mbetej vetëm bisedë? Për shembull, sikur ju të puthnit Jonën te “Duaje emrin tënd”…
Të dy regjisorët e atij filmi, kujtoj që donin të kishte një puthje, sepse do të plotësonte skenën e atij romanticiteti nëpër gjethe vjeshte. Por, kjo nuk ishte e mundur. Pra, ne edhe mund ta mendonim, por ç’dobi kishte?! Filmi kalonte nëpër disa duar kontrolli përpara se të shfaqej. Në të vërtetë, unë isha i gatshëm që atë vit ta bëja skenën e puthjes. Vetëm se, nuk mund të them se do të ishte njësoj e lehtë për Monda Bulkun dhe kjo jo për shkak të saj, por për shkak të paragjykimeve të shoqërisë, sepse i tillë ishte realiteti…

Në ç’filma të tjerë të përpara ’90 puthja do të kishte plotësuar pjesën? Se, te “Flutura në kabinën time” nuk se ndihet mungesa e ndonjë puthjeje…
Jo, në këtë rast nuk kishte pse të ishte skena e puthjes, sepse ajo e Tomës me Fluturën ishte një marrëdhënie ideale, e ndërtuar vetëm në mendjet e tyre. Ishte e gjitha ëndërrimtare, e pastër, krejt ndryshe nga karakteri i deriatëhershëm i Tomës.

Ama Toma, deri atëherë kishte një marrëdhënie me dispeçeren e parkut të luajtur nga Shpresa Bërdëllima.
Në këtë rast po, ka një boshllëk…Aty po, patjetër, dhe nuk ishte e domosdoshme vetëm puthja, por një skenë e plotë dashurie, që të plotësonte karakterin e egër të shoferit të kamionit. Mungesa e kësaj skene, që gjithashtu ka qenë pjesë e skenarit të Teodor Laços, çon ujë në figurën e Tomës, ngelet e cunguar pikërisht sepse marrëdhënia seksuale që deri atëherë ai ishte mësuar të kishte, çka nuk jepet, nuk i bënte më përshtypje krahasuar me paqen dhe ndryshimin që po pësonte sa herë që takonte Fluturën. Njeriu që e konsumonte marrëdhënien pyjeve, lëvizte tashmë gjithçka, qoftë edhe vetëm për të parë një herë mësuesen.

Nga filmat e viteve ’80, ku ju jeni një ndër personazhet më të dashur të teleshikuesve edhe për shkak se ishit gjithnjë në një marrëdhënie dashurore, çka pothuaj kishte munguar, mund të përmendim edhe të tjerë…
Po mund të përmendim filmin “Të mos heshtësh” me Matilda Makoçin. Drejtori, aty, mundet t’i kishte fshehur edhe më mirë nëse marrëdhënia do të intensifikohej, duke u ilustruar me një puthje. Po ashtu me Nertila Kokën te “Telefoni i një mëngjesi”./BW

SHKARKO APP