Ndryshon ligji i PPP-ve – Koncesionet për HEC-e do të jepen me procedurë të përshpejtuar

Ndërtimi dhe shfrytëzimit i burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar mbi 2MW,të cilat kanë vlerë investimi mbi 100 milionë euro do të përjashtohen nga procedurat aktuale të dhënies me koncesion apo partneritetit publik-privat.

Gjithçka përcaktohet në një projektligj, i cili ka mbërritur në Kuvend e që i hap rrugën përshpejtimit të procedurave për dhënien e këtyre lejeve. Sipas relacionit shoqërues, në këtë kategori mund të shqyrtohen në mënyrë specifike ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga hidrocentralet apo termocentralet, ndryshe nga legjislacioni aktual, i cili për HEC-et me kapacitet të instaluar mbi 2 MW, kërkonte zbatimin e procedurave së dhënies me koncesion.

Sipas relacionit, sektori energjetik shqiptar aktualisht ka nevojë për ndërtimin  e objekteve të reja gjeneruese, me qëllim rritjen e prodhimit të energjisë, por kuadri ligjor aktual parashikon procedura të zgjatura për miratimin e kontratës.

Gjithashtu, në dokument thuhet se ky përjashtim do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, pasi deri më tani, shumë investitorë që kanë pasur interes për të investuar në sektorin elektroenergjetik, janë tërhequr pas konstatimit se kuadri  ynë ligjor për koncesionet dhe PPP-të kërkon një kohë të gjatë prej më shumë se dy vjetësh, për finalizimin e kontratës koncesionare.

SHKARKO APP