Ndryshon ligji, sekuestrim e gjoba për rakinë e verërat klandestine

Kushdo që prodhon në mënyrë klandestine, raki, verë, apo çdo produkt akcize rrezikon sekuestrimin e menjëhershëm të pajisjeve, produkteve, e lëndëve të para, por edhe gjobë sa 5-fishi i detyrimeve fiskale, që duheshin paguar për këto prodhime.

Ashpërsimi i masave kundër produkteve fiskale është parashikuar në paketën fiskale të vitit 2017, të sapo dërguar për shqyrtim në Kuvend. Përjashtohen nga kjo masë produktet e prodhuara për përdorim familjar, që janë deri 100 litra për rakinë dhe 200 litra për verën.

Në kuptim të këtij ligji, me prodhim të paautorizuar përkufizohet prodhimi i produkteve të akcizës që kryhet në ambiente dhe me pajisje të padeklaruara dhe të pakontrolluara paraprakisht ose të ndërtuara apo të modifikuara, në mënyrë që produkti të shmanget nga verifikimi.

Prodhimi i paautorizuar provohet me praninë në të njëjtin ambient ose në ambientet ngjitur të lëndëve të para të nevojshme për përgatitjen e produkteve të akcizës dhe linjave të prodhimit, të nevojshme për prodhimin e produkteve të akcizës.

“Mallrat çlirohen nga sekuestroja nëse brenda 30 ditësh nga data e njoftimit të vendimit paguhet i gjithë detyrimi dhe sanksioni përkatës. Nëse nuk plotësohen këto kushte, mallrat konfiskohen dhe shkatërrohen ose shiten në përputhje me dispozitat e ligjit për kundërvajtjet administrative, për të mbuluar detyrimin dhe sanksionin e vendosur. Nëse nga shitja gjenerohen të ardhura të cilat kalojnë shumën e detyrimit dhe gjobës, teprica kalon në buxhetin e shtetit”, përcakton projektligji.

SHKARKO APP