Ndryshon pamja e një prej vendeve më piktoreske të Shqipërisë (FOTO)
Data 15 gusht, për besimtarët ortodoksë njihet si dita e Shën Mërisë. Një nga vendet më të veçanta ku kujtohet kjo ditë, është Manastiri i Zvërnecit, një ishull me pisha në supet e Kishës së Fjetjes së Hyjlindëses që duket sikur i bëjnë rojë.
Qindra a ndoshta mijëra besimtarë të Nartës, Zvërnecit, gjithë Vlorës, por edhe të vendeve më të largëta, vizitojnë këtë ditë manastirin, luten, marrin pjesë në meshë dhe më pas eksplorojnë ishullin.
Për shumë prej tyre kjo është pjesë e një tradite që kur ishin fëmijë, kur sipërfaqja ujore përshkohej me varka për të mbërritur në ishull, por më pas u ndërtua një urë druri e cila së bashku me ishullin u bë pjesë e shumë kartolinave apo sekuencave të dokumentarëve për Shqipërinë.
Sigurisht që ura lehtëson kalimin e të gjithë atyre që për arsye fetare apo turisike duan të vizitojnë ishullin, por ajo shpesh ka pësuar dëmtime, deri sa vitin e kaluar u bë i pamundur kalimi përmes saj. Edhe pse shumë njerëz gjetën mënyra të tjera për të mbërritur në ishull, mungesa e urës, ishte një pengesë e madhe për të gjithë ata që donin ta vizitonin manastirin./Class/