Në 2 vjetorin e zgjedhjes kryetar bashkie, Veliaj përuron parkimin e dytë nëntokësor publik në Bulevardin e Ri

Pas parkimit te sheshi “Skënderbej”, Tiranës i është shtuar edhe një tjetër parkim publik nëntokësor te Bulevardi i Ri, i cili përveçse si një arterie kryesore e kryeqytetit, ofron edhe mundësi parkimi për qytetarët. Parkimi nëntokësor do t’i shërbejë si atyre që vijnë në Tiranë përmes këtij aksi, edhe banorëve të zonës që frekuentojnë institucionet përreth. Në dy vjetorin e zgjedhjes si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Ervin Bushati inspektuan sot ambientet e parkimit nëntokësor të ndërtuar në Bulevardin e Ri të Tiranës, i cili ka një kapacitet prej 328 vendesh dhe nga sot është në shërbim të qytetarëve.

Veliaj vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në kaq pak kohë duke mundësuar realizimin e projekteve, të cilat deri para pak kohësh as që mund të mendoheshin, siç është edhe rasti i këtij parkimi. “Sot hapim një pjesë të dytë të projektit të bulevardit, i cili është parkingu i dytë nëntokësor në Tiranë, pas atij te sheshi “Skënderbej”. Dy vite më parë as imagjinohej që Tirana të kishte disa parkingje nëntokësore. Sot hapim të dytin, ndërkohë që brenda vitit do të fillojmë parkingun te stadiumi “Qemal Stafa”, te sheshi “Italia”, për të zgjidhur edhe aty problemin e parkingut. Sot është një ditë shumë e veçantë për mua sepse bëhen fiks dy vjet nga zgjedhja ime si kryetar bashkie, kur populli i Tiranës më bekoi me ndoshta punën më të bukur që një njeri mund të ketë në jetë, t’i shërbejë qytetit të vet. Më vjen mirë që ky investim përkon me këtë ditë shumë të shënuar dhe shumë emocionale për mua”, tha Veliaj.

Ai bëri të ditur se ky investim përveçse do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së parkimit për shumë qytetarë, do të lehtësojë edhe trafikun e makinave që vështirësohet shpesh herë prej parkimeve të gabuara nëpër rrugë. “Parkingu i ri nëntokësor ka 328 vende parkimi, do të thotë që zgjidh të gjithë ngërçin e zonës së ish Stacionit të Trenit. Këtu ka shumë institucione shtetërore, është pranë hipotekave, pranë burgut, pranë disa gjykatave, është pranë një pjesë të institucioneve universitare, pranë maternitetit, pra ka shumë institucione të cilat kanë nevojë për parkim. Parkimi këtu është shumë afër, madje për ata që parkojnë me orë të zgjatura u bie më lirë të parkojnë nëntokë sesa në rrugë, ku edhe makina është gjithë ditën në diell apo edhe elementet e sigurisë janë më të pakta”, u shpreh Veliaj.

Ai vlerësoi faktin që ky parkim ofron kushte të larta sigurie për makinat, ndërsa bëri të ditur se ashtu si edhe në parkimin nëntokësor të sheshit “Skënderbej”, ofrohet mundësia e karikuesve për makinat që funksionojnë me energji elektrike. “Kemi 28 kapera për 328 vende parkimi. Siç e patë, parkimi është koduar me ngjyra duke qenë se është një parkim jashtëzakonisht i madh, edhe për lehtësi, por besoj që risia sërish këtu është përdorimi i karikuesve elektrikë për makina. Kjo është e ardhmja, në qoftë se ky bulevard është konceptuar si një bulevard i së ardhmes, nga ndriçimi led tek infrastruktura nëntokësore, me tunele ku kalojnë të gjitha rrjetet, është mese e natyrshme që edhe për karburantin e të ardhmes, i cili është energjia elektrike, të kemi parashikuar vende të veçanta. Kemi deri në 8 të tilla, kemi filluar me vendin e parë deri sa të krijojmë një masë kritike të qytetarëve që fillojnë dhe përdorin makinat elektrike”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke iu referuar ceremonisë së mbrëmshme të hapjes së segmentit të parë të Bulevardit të Ri, Veliaj theksoi se ai moment ka për të hyrë në histori, ndërsa bëri të ditur se tashmë Bashkia e Tiranës është duke punuar edhe për përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit të kësaj zone. “Sigurisht, është hera e parë që fillimisht ndërtojmë shtyllën kryesore të bulevardit, pra të gjithë infrastrukturën nëntokësore dhe mbitokësore, përpara se të vijojë zhvillimi. Ne tashmë jemi në një situatë ku po përgatisim të gjitha planet e detajuara vendore për një pjesë të madhe të zhvillimeve që do të ndodhin në këtë zonë, një pjesë rezidenciale, por shumica komerciale, të biznesit, ambiente zyrash, banka, hotele”, tha Veliaj.

Ai shtoi se përveçse qyteti arrin një balancim të zhvillimit të tij, Bulevardi i Ri i Tiranës do të ndikojë në mënyrë direkte edhe në rritjen e vlerës së pronës për të gjithë ata që kanë prona në këtë zonë. “Besoj që për të gjithë banorët e njësisë 9 në krahun e majtë dhe njësisë 8 në krahun e djathë, besoj që i ka rënë një fat më i madh. Shpresoj që jo vetëm ata që do të përdorin bulevardin, por të gjithë qytetarët e këtyre dy njësive, 8 dhe 9, t’i shohin hajrin këtij investimi të përkthyer në vlerën e pronës së tyre”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP