Në bazën e NATO-s
Në një copë katërkëndore toke, pranë një pylli mështeknash, shquhen disa radhë me krahë të gdhendur avionësh. Janë gurët e varrit të një varreze pilotësh sovjetikë, që ndodhet vetëm pak metra larg nga baza ajrore e Amarit, ku sot janë vendosur personeli dhe avionët gjuajtës të NATO-s. Një emblemë e tensioneve që trazojnë Estoninë, e vetmja ish republikë sovjetike, bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, që i janë bashkuar Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Europian. Në vendet baltike – të cilët u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940, u pushtuan nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas u ripushtuan nga Ushtria e Kuqe dhe mbetën të pushtuar deri në rënien e BRSS – afërsia me Rusinë, apo “fqinjin e madh”, siç e quajnë këtu, konsiderohet gjithmonë si një rrezik.
Por, që kur një vit më parë, Krimea u aneksua nga Moska, këtu ndodhin përgatitje për luftë, në një lojë të përditshme si macja me miun. Avionët rusë në qiej dhe sinjalizimet për nëndetëse të dyshuara nën det, kanë detyruar vendet e NATO-s, e madje edhe vende jo anëtarë të Aleancës, si Suedia dhe Finlanda, që të zhvillojnë një aktivitet ushtarak, pothuajse në nivelet e Luftës së Ftohtë.
Një muaj më parë, pothuajse 13 mijë persona, nga një popullsi prej pothuajse 1.3 milionë estonë, morën pjesë në programin stërvitor “Siil”: simulimi i një pushtimi nga ana e kombit imagjinar të Asllavias, dublant i vetë Rusisë. Rezervistët u thirrën ndërsa qytetarët u përfshinë thjeshtë si vëzhgues, ndërkohë që mjete të blinduar bllokonin autostradat dhe në fushat bujqësore dëgjoheshin zhurmat e automatikëve dhe mitralozëve. Një paralajmërim për Rusinë që, ndryshe nga Krime, ku forcat ukrainase u dorëzuan pa asnjë të shtënë, këtu Kremlini do të përballej me një rezistencë të fortë nëse do të pushtonte një territor të NATO-s.
Kundër rrezikut të të ashtuquajturve “burrat e vegjël në të gjelbër”, ushtarakët pa deviza që në vitin 2014 zunë në befasi ukrainasit, më shumë se 20 mijë trupa të NATO-s kanë marrë pjesë në ushtrime të ngjashme stërvitore në të gjithë ish bllokun lindor. Në anën tjetër të kufirit, Rusia në mars kishte vendosur në Kaliningrad raketa “Iskander”, të cilat mund të armatosenme koka me mbushje bërthamore, si dhe kish zhvilluar stërvitje të më shumë se 80 mijë ushtarëve, 3 mijë mjeteve, 15 nëndetëseve dhe 220 avionëve në Arktik, Balltik dhe në Detin e Zi. Manovra që janë pjesë e një militarizimi të shpejtë në të dy anët e kufirit.
Pas samitit të Uellsit, NATO ka vendosur dërgimin e trupave me sistem rotacioni në Poloni dhe në tre shtetet balltike. Në bazën estoneze të Amarit, prej ku trupat e fundit sovjetike u larguan vetëm në vitin 1994, tre vjet pas pavarësisë, prej majit ndodhen 150 britanikë dhe katër “Typhoon”-ë të forcës ajrore britanike. Avionët e NATO-s kanë intensifikuar patrullimet në Balltik. “Në vitin 2014, avionët rusë kanë shkelur hapësirën tonë ajrore tetë herë. Këtë vit, deri tani nuk ka patur sinjalizime për shkelje të hapësirës. Shpresoj të jetë efekti i operacioneve tona, dhe që të mos jetë si qetësia para furtunës”, shpjegon komandanti Lauri Kuusekand, zëvendës komandant i Survejimit Ajror në Amari. Por të paktën 100 herë, avionët e NATO-s kanë frenuar në ajër avionë rusë pa transponder, një rrezik për avionin civil.
Frika është se aventurat ajrore të avinëve rusë mund të shkaktojnë aksidente, që do të sillnin një konflikt më të gjerë. Nga ana tjetër, disa analistë këmbëngulin se është pikërisht rritja e aktivitetit ushtarak të NATO-s në kufi, që antagonizon Moskën.
Vendet balltike nuk janë megjithatë të prirur që të nënvlerësojnë rreziqet e Kremlinit. Aq më pak është Estonia, që në të kaluarën ka qenë teatër i disa prej provokimeve më të mëdha ruse. Në vitin 2007, vendimi për zhvendosjen e statujës së një ushtari sovjetik të Luftës së Dytë shkaktoi protesta të dhunshme të rusofonëve, si dhe sulme informatikë në të gjithë sistemin. Dhe në shtator të vitit që kaloi, ushtarët rusë tërhoqën në kufi dhe kapën një agjent të shërbimit të fshehtë estonez, Eston Kohver, i cili edhe sot ndodhet në burg në Moskë. “Ka qenë pika më e ulët e marrëdhënieve tona me fqinjin e madh. Moska nuk u është përgjigjur asnjëherë kërkesave tona për lirimin e tij”, shpjegon Paul Teesalu, drejtor i Departamentit politik të Ministrisë së Jashtme. “Dhe për këtë arsye duhet të jemi gjithë kohës vigjilentë”.
Për të siguruar aleatët balltikë, përveç dërgimit të trupave me sistem rotacioni, NATO ka premtuar edhe një forcë reagimi të shpejtë prej 5 mijë vetësh, që mund të dërgohet brenda 48 orëve. Një instrument mbrojtjeje që megjithatë nuk i mjafton Estonisë, Lituanisë dhe Letonisë: në maj i kanë kërkuar krerëve të Aleancës një forcë të përhershme në kufi, që megjithatë do të ishte shkelje e marrëveshjeve NATO-Rusi të vitit 1997. “Sot, Moska është e përfshirë në një konflikt me një vend fqinj, një pjesë e territorit të të cilit është aneksuar në mënyrë të paligjshme. Trupa ruse mbajnë të pushtuara zona të tre vendeve fqinjë, Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Moldavisë. Eshtë e qartë se Rusia është rrezik për sigurinë e të gjithë Europës”, thotë Kadri Peeters, këshilltar i kryeministrit estonez për sigurinë. “Nga ana tjetër, Estonia është një vend anëtar i Aleancës më të fortë ushtarake, të cilës në 66 vite histori, asnjë anëtar nuk i është sulmuar ushtarakisht. Kjo na jep siguri”.
"La Repubblica" – Në shqip: Bota.al