Në ditëlindjen time

REFLEKSION/Nga: Thoma Goga

Në jetën time s’kam bërë asnjëherë letër anonime. Thashë ta provoj edhe unë se, kur të iki nga kjo dynja, të mos më mbetet peng. Po më mungonte përvoja. Mendova një herë të kërkoja ndihmën e dikujt këtej nga kasabaja jonë, që i than këto “anonimet”. Po hoqa dorë se më kërkoi shumë lekë… “Më vjen keq,- ma priti, – me këtë punë ushqehem” …

E pra, kjo është e para, por kjo është dhe e fundit letër tip tjetër… “E dashura ime. Kemi një jetë që udhëtojmë bashkë. Ti në një anë e unë në anën tjetër. E, ja u bë sebep kjo ditëlindje që unë të të shkruaj këtë letër. Emrin tani s’po ta them. Jo se është sekret, por do ta lë surprizë për në fund. E në fund do ta them, se dua të jem korrekt me lexuesin, siç kam qenë gjithë jetën. Paçka se është anonime, transparenca mbetet në kulturën time.

Bashkë jemi njohur që ditën e parë kur lindëm. Kemi lindur në një ditë, këtu e shumë vjet më parë. Datën e kam lexuar më vonë në  certifikatën e lindjes. Po çfarë dite do ketë qenë vallë, kur jam lindur? Duhet të ketë qenë mesjavë, plot me punë ngarkuar, se e shikoj që ca gjëra Zoti, i qofshim falë, nuk i ka bërë mirë. Paska qenë edhe fushata e korrjes së grurit…Nuk e di tek ty, po tek unë sikur është nxituar. Jo, kështu na nxori sakllam, nuk ja bëj haram. Madje, mua më dha ca fantazi, se fillova të shkruaj ca këngë, ca rrëfenja, ca poezi… Nuk po e zgjas se më heq veshin Belul Gjeraqina… Megjithatë zoti më mirë duhej t’i bënte ca gjëra. Punojmë tamam si rob zoti e s’ta di njeri. Madje, po të jesh korrekt, të nxjerrin nga puna se “u hap punë” atyre që s’bëjnë asnjë punë… Ose ca të tjerëve që s’merren me punën e tyre, po lakojnë e lakmojnë punën e të tjerëve. Askujt nuk ja kemi me hile, por brinjët na “dhembin nga bërrylat”. Eh, i fortë ky ligji “i bërrylit”…Njoh një që nuk hiqej, po ishte tamam humbameno. Mezi shkruante edhe emrin e tij kur i thoshte mësuesja. Ujë në djersë bëhej, mavria. Kurse tashti ka titull lideri. Ç’më erdhi në mend dhe një tip tjetër “i talentuar”. E ndihmova shumë kur punoja në një gazetë. Po i shkathët shejtani, bëri shpejt përpjetë sapo erdhi demokracia. U bë drejtor, aty ku unë isha punëtor. Dhe ma “shpërbleu” mirësinë; puna e parë që bëri, më pushoi mua nga puna. Motivi; se vija nga sistemi i vjetër… Mbase këtu e ka pasur llafin edhe Dritëroi ynë i madh, që unë e ti e duam shumë, kur shkroi fabulën “Gomari dhe Kali…”. Mirë, edhe kjo është zotësi. Nuk thotë kot populli; “sa të mendohet i mençuri, budallai ka mbaruar punë”. Prandaj them se Zoti duhet të kishte “punuar” më mirë me ne. Se, ja të bëj një pyetje që s’do përgjigje; këta budallenjtë, humbamenot, hajdutët që janë më të pasur, kriminelët që bëjnë keq e s’i gjen gjë, i ka bërë zot tjetër?Eh, ç’them dhe unë! Zoti e di atë punë…

Esi është kjo dynja. Nuk e di për ty, po unë kam bërë mirë gjithë jetën, si në rastin që tregova. E prapë më vjen në mend një fabul nga ato të Ezopit. Një rob zoti si puna ime, (që kish bërë mirë tërë jetën), shkonte rrugës për në fshat. I doli gjarpri para. “Do të të ha”, – i tha. “Po unë kam bërë mirë, pse të gjej keq”, u përgjigj fakiri. “Nuk më duhen përrallat”,- ia priti zvarraniku. Po në çast doli dhelpra dhe gjarpri u tremb e iku. Fakiri i mirë e falënderoi dhelprën, por dhe kjo nuk shkulej pa një shpërblim. “Dua dy pula të m’i sjellësh tashti”, urdhëroi dinakja. Nxitoi i gëzuar njeriu i mirë t’i çonte peshqeshet dhelprës. Po kur hyri në kasolle, ndërroi mendje. “Tërë jetën bëra mirë e gjeta keq. Pa ta dredh dhe unë një herë”. Dhe në vend të pulave, mori çiften. Kuptohet; të vriste dhelprën. Kur shkoi tek vendi, ajo ishte fshehur në ca shkurre më larg. “Ore,- thirri dinakja,- këtë përrallën “kush bën mirë e gjen keq” unë e di më mirë se ti” dhe ia mbathi vrapit…Eh, si ikin vitet!  Mbase nuk është koha të lë ndonjë amanet. Po edhe në lënça, ç’do të lë? As pasuri, as tokë, as…Ah, po u kujtova! Do lë atë “pasuri” të vetme që më la babai; “këmborën” e ndershmërisë…Do t’u vrasë veshin cave, po punë e madhe. Ata le të varin për vete kanoçet bosh, se ato bëjnë më shumë zhurmë… Besoj se je dakord me mua; më duket se kemi bërë një shëtitje; nga lindja deri në këtë ditëlindje. Të siguroj se bashkë do jemi deri në botën tjetër…Dhe e gjitha më duket si një film. Po, po një film. Ne ishim aktorët, kurse skenarin dhe regjinë e ka Zoti. Po Zoti ynë, ama. Ai e ka në dorë dhe tabelën FUND. Tashti, e dashura ime, po i vjen fundi edhe të vetmes letër anonime. Të dua shumë, se pa ty s’do isha unë…”.  Ashtu siç premtova në fillim, po e shuaj dhe kureshtjen tuaj, lexues të dashur. E pra, gjysma ime e bëri këtë letër, për gjysmën tjetër…

SHKARKO APP