Në gjurmët e një studiuesi

Nga Fran Gjoka/Studiuesi i njohur Vlash Prendi ka vite që studion dhe hulumton perlat e traditës dhe kulturës shqiptarë për t’i sintetizuar në 12 librat e tij studimorë të botuara në këta njëzet vitet e fundit. Ai është protagonist në fushën e mendimit pedagogjik dhe të studimeve shqiptare me një numër të konsiderueshëm veprash studimore në fusha të ndryshme të jetës historike si atë të historisë folklorit dhe monografisë, pjesëmarrës në tubime dhe konferenca shkencore, autor i shumë artikujve studimorë në median e shkruar. Është personalitet i shkencës studimore në rajonin tone dhe më gjerë, me një trashëgimi studimore me vlera ku pasqyrohen hetime të imta intensive mbi të kaluarën, mbi rrugën e formimit të etnokulturës sonë. I pajisur me ndërgjegjen kritike të shkollës shqiptare që qëndron në themelet e programeve të Normales së Elbasanit dhe më tej të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, shkëlqen që në vitet 1980 me artikuj të shumtë letrarë në shtypin e përditshëm. Janë me qindra artikujt e ndryshëm të shkruar nga dora e tij dhe të botuar në shtypin e kohës. Baza e suksesit të studiuesit të apasionuar Vlash Prendi duket se është njohja e thellë e historisë dhe jetës shqiptare, vlerat e padiskutueshme etnokulturore të qytetërimit të rajonit, si dhe gjuha e pastër dhe e pasur që përdor në veprat e tij.

I lindur me 13 janar të vitit 1956 në fshatin Skuraj të Kurbinit dhe rritur në një ambient patriotik dhe atdhetar përfundon me rezultate shumë të mira shkollën 8-vjeçare në fshatin e lindjes, pastaj në vitin 1973 nis studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Elbasanit. Pikërisht këtu shpërthen talent ii tij për krijimtarinë letrare, fushën studimore, madje edhe për artin e aktrimit. shkrimin e parë, studiuesi i ardhshëm e pati botuar rreth vitit 1970, në revistën e atëhershme “Pionieri”, referuar një legjende për Skënderbeun në trevën e Kurbinit. Që nga ajo kohë, pena e tij ka qenë e pranishme në shtypin tonë kryesisht me shkrime letrare dhe studimore.

Pas përfundimit të Shkollës Pedagogjike të Elbasanit, nis studimet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Gjatë kësaj periudhe, veç shkrimeve të ndryshme në shtyp, mbledh dhe arkivon studime të fushave të ndryshme si dhe në fushën e arsimit si mësues i përkushtuar në lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Njëherit boton në shtypin e kohës mjaft shkrime dhe artikuj të karakterit historik dhe kulturor. Ka qenë gjithnjë i pranishëm në gazetat “Drita”,  “55”,  “Telegraf”,  “Ballkan”,  “Ora e Shqipërisë”,  “Bulevard”,  “Sot”,  Flaka e vllaznimit”, ”Mësuesi” si dhe në revistat “Spektër”, ”Miqësia”, “Kuvendi”,  “Kuq e Zi”,  etj. Ndërkohë përgatitet për të nxjerrë librin e tij të parë, i cili u prit mjaft mirë nga lexuesit. Ishte viti 1997, kur botoi librin me studime “Kurbini – Tradita kultura”, përmes të cilit shpalos historinë dhe kulturën e një treve, bajraku i së cilës ka qenë shumë i njohur në malësitë tona të veriut.

Vend të veçantë zënë edhe studimet për punët, zejet e praktikuara në këtë trevë. Prof. Mark Tirta për këtë libër do të shkruante: “…Deri vonë kanë shkruar vetëm të tjerët për këtë oreal kulturorë, tani po shkruajnë vetë kurbinasit për krahinën e tyre. Sot kurbinasit i gjen specialist të zotë në fusha të ndryshme të dijes dhe të kulturës si arsimtarë, profesorë universiteti, inxhinierë, ekonomistë dhe studiues të zellshëm. Një ndër ta është edhe autori i këtij libri Vlash Prendi, i cili prej vitesh ka gërmuar në thesaret e kulturës popullore e në të sotmen e këtij vendi, i ka studiuar e përmbledhur në këtë botim. Ai ka shkruar me shumë pasion dhe dashuri për këta vlera të traditës, për t’ia dhënë atë lexuesit të qarta e të pastra, pa shtesa e zbukurime…”. Pas një pune të lodhshme hulumtuese dhe studimore të gjate, studiuesi Vlash Prendi boton volumin e dytë të librit “Kurbini – tradita, kultura”,  në vitin 2002. Ky material vjen më i plotë dhe më bindës tek lexuesi, për këtë arsye libri pëlqehet dhe vlerësohet nga kritika. Në ndryshim me librin e parë, në veprën e re, studiuesi i pasuron argumentet historike me fakte, duke na dhënë në çdo artikull mundësinë e një arsyetimi të ekuilibruar që përbën një faktor diturie të emancipuar të autorit për fakt6et dhe çështjet historike që trajton në këtë vepër. Duke qenë një trevë e pasur me fakte dhe ngjarje historike, autori ka prekur një problematikë të gjerë dhe të shumanshme, shumëserioze dhe të domosdoshme për opinionin duke dhënë fakte dhe ngjarje historike, disa prej të cilave dalin në dritë për herë të parë nga dora e tij.

Thënë ndryshme është një vepër popullore që mbetet në duar të lexuesit të apasionuar për njohjen e historisë dhe të traditës kulturore. Kështu që në bibliotekën krijuese të studiuesit Vlash Prendi autor i dymbëdhjetë librave me studime dhe monografi, lexuesi hyn me kënaqësi dhe dëshirë, sepse do të gjejë fakte dhe vlera historike që kanë munguar deri sot. Për këtë  libër me vlera të padiskutueshme historike dhe kulturore, studiuesi i njohur Dr.  Nikollë Toma shkruan: “…Autori ka meritë se përmes një analize të hollësishme, një dokumentacioni arkivor të pasur, të mbështetur në materialet e mbledhura drejtpërsëdrejti në gjithë krahinën, duke shfrytëzuar njohjen e tij personale si vendos, ka trajtuar në libër dukuri jetësore të Kurbinit në shekuj, duke përfshirë aspekte të vështrimit gjeografik, ekonomik, demografik, antologjik dhe historik, po i dedikohet me përkushtim vendlindjes së vet për të shpalosur qartë e në mënyrë dokumentare kontributin e rëndësishëm që ka luajtur krahina e Kurbinit në historinë kombëtare shqiptare…”. Parë në këtë këndvështrim, libri i studiuesit Vlash Prendi, plotëson atë zbrazëtirë historike të lënë për shekuj me radhë nga paraardhësit e tij. Është një kontribut i vyer në lëmin e kulturës sonë kombëtare, historike,  monografike dhe etnokulturore.

Në vitin 2003, studiuesi i njohur do t’i hynte një pune studimore sa të rëndësishme aq edhe të vështirë. Do të botonte librin monografik “Kronikë e një jete në amshim – Don Shtjefën Kurti”,  kushtuar figurës shumëdimensionale të priftit martir nga Ferizaj i Kosovës që dha një kontribut të madh për përhapjen e krishtërimit në trojet shqiptare dhe luftoi me guxim dhe vendosmëri kundër sistemit komunist në Shqipëri. Është quajtur edhe heroi pa varr, sepse eshtrat e tij nuk janë zbuluar ende. Sipas dokumenteve trupi i tij është përdorur si kadevër për mësimet praktike të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në vitet 1970. Përmes këtij materiali voluminoz, në dy vëllime autori autori Vlash Prendi paraqet me dokumente origjinale jetën dhe veprimtarinë atdhetare dhe kulturore të Don Kurtit, në fillim në Kosovë e më pas në trojet shqiptare. Është e rëndësishme të theksojmë se Don Shtjefën Kurti, është një nga hartuesit e Pronëmarrjes së 5 majit 1930  dërguar Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës nga gjenocidi i rëndë serb. Përmes dokumentesh, vlerësohet figura e tij si meshtar, si atdhetar, si luftëtar, i paepur kundër vendosjes së diktaturë komuniste në Shqipëri, si një moderator i aftë për organizimin e veprimtarive kulturore dhe artistike në shërbim të komunitetit fetar, si mbrojtës i të drejtave të njeriut, sidomos të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1967, kur në mbarë vendin tone shteti diktatorial mbylli kishat dhe xhamitë, Don Shtjefni nuk u largua nga Gurëzi. Për tre vjet, derisa vjen arrestimi i tij i dytë punon si punëtor në kooperative bujqësore, pagëzonte fshehtas fëmijë dhe celebronte kurora martese. arrestohet përsëri në qershor të vitit 1970 me akuzën “Ka kryer shërbime fetare dhe ka pagëzuar një fëmijë”,  nga ana tjetër i ka sjellë një dëm ekonomik kooperativës në shumën prej 6658 lekë”, vlerë kjo e barabartë me një televizor bardhë e zi për atë kohë. Dënimi u bë me 30 korrik 1971, ishte dënim në grup. Don Shtjefni u dënua me vdekje – pushkatim e bashkë me të edhe shokët e tij të idealeve, bashkëpunëtorët e tij të pafajshëm. Libri i studiuesit Vlash Prendi bëri jehonë në media dhe në shtyp. Vlerat e tij dokumentare ngacmojnë kujtesën e shumë gazetarëve dhe studiuesve, të cilët e vlerësuan mjaft materialin voluminoz të mbledhur dhe përpunuar me pasion nga ky studiues.

Studiuesi Vlash Prendi është autor edhe i disa veprave të tjera studimore si:“Kullat e bardha”–monografi 2009, “Pranverë e hidhur”– monografi 2010, “Vendlindja ime – Kurbini”– tekst për klasat e pesta të shkollës 9-vjeçare dhe ka në dorëshkrim edhe vepra të tjera të kësaj natyre. Duke qenë se kjo vepër para së gjithash është dëshmi e talentit të spikatur dhe artit të vërtetë të studimit, jemi të bindur se dialogu i tij me lexuesin do të jetë edhe në të ardhmen i bukur dhe i gjatë, sepse vepra të reja të këtij autori presin dritën e botimit.

SHKARKO APP