Në kryeqytet valëviten martirët, në Gjirokastër vrasësi i tyre

Nga Albina Gjergji 

Ndërkohë që pak ditë na ndajnë nga vizita historike e Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, Shqipëria vazhdon të numërojë paradokset e saj. Ndërsa në kryeqytet valëviten portretet e viktimave të komunizmit, në Gjirokastër “valëvitet” portreti i vrasësit të tyre. Kështu, fill pas vendosjes së 40 fotografive të klerikëve që u dënuan dhe u persekutuan nga sistemi dikatorial për shkak të besimit të tyre fetar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” mbërrin çudia e radhës, që e sigurtë se nuk ka për të zgjatur as tri ditë, por që në këtë atmosferë pozitive, ky sytë e gjithë botës do të kthehen nga ne, qoftë edhe për një ditë të vetme ngjall ndjesi negative.

Ditën e djeshme në Gjirokastër janë mbajtur festimet për 70 vjetorin e Çlirimit të këtij qyteti e me këtë rast është bërë një parakalim, ku veteranë të shumtë mbanin në qafë shalle të kuq dhe foto të ish diktatorit më të egër që ka parë ndonjëherë historia jonë, pikërisht atë të Enver Hoxhës. I cilësuar si komandanti i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe nga vetë veteranët si një prej luftëtarëve më mëdhenj, ish-diktatori komunist Enver Hoxha paturpësisht sfiloi ditën e djeshme mbi kokat e atyre që shtypi e nuk shtypi për disa dekada me radhë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të qeverisë.

Ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, ministri i Çështjeve Vendore Bledi Çuçi dhe ministri Arben Ahmetaj, e dinin, apo jo… bashkë me hapin e tyre dhe me shalle “pionierësh” në qafë ecnin përkrah Enver Hoxhës.

Papa Françesku, rifreskoi edhe para dy ditësh lajmin e vizitës së tij në Shqipëri e këtë herë e bëri drejtëpërdrejtë njoftimin, bash në zemër të Vatikanit gjatë meshës së Tij të Shenjtë mbajtur përpara mijëra besimtarëve. Ai u shpreh se do ta vizitojë Shqipërinë, pasi është një popull që ka vuajtur shumë nga regjimi i tmerrshëm ateist dhe që tani shqiptarët po mundësojnë një bashkëjetesë paqësore midis besimeve të ndryshme fetare. Një mesazh ky që na motivon për t’u bërë shembull edhe më i mirë përpara pasqyrës së globit. Por nga ana tjetër këta veteranë lufte, “ushtarë” të bindur të ish diktatorit kërkojnë t’ia shëmtojnë imazhin vendit tonë pikërisht me vepra që të rikthejnë pas në kohë. Në atë kohë ku dinjiteti njerëzor, në emër të Partisë nuk kishte pikë vlere. Po, po…t’ia shëmtojnë, sepse imazhi i ish diktatorit Hoxha është krejt i ngjashëm me atë të Hitlerit në botë e jo më kot kur i përmend një gjermani diktatorin e tyre preferon të mos (dëgjojë) bashkëbisedojë. Nuk e dimë nëse gjesti i djeshëm është një shenjë nostalgjie e së kaluarës për disa prej të pranishmëve, glorifikim kriminelësh për disa të tjerë, apo… kemi të bëjmë me të prekur nga sindroma e Stockholm-it (ku viktima dashurohet me përdhunuesin e tij), ama me zë të lartë mund të thuhet se parada të tilla, ku në krye të “ushtrisë” qëndron edhe në 2014 Enver Hoxha vetëm sa na bën më të vegjël si popull e përpara gjithë atyre martirëve, (që edhe në heshtje lëshojnë mesazhe paqeje) duhet të ndjehemi me të vërtetë të turpëruar.

Të turpëruar, (sepse siç mund të kemi lexuar tek-tuk online) në vend që të kritikohet vendosja e portreteve të martirëve përgjatë Bulevardit, apo dekori i Sheshit “Nënë Tereza” tentohet të ringjallet figura, që në mënyrat më makabre mori jetën e mijëra intelektualëve, klerikëve, nënave, baballarëve e motrave.

Ç’paradoks fyes dhe skandaloz! Nga njëra anë presim Papën, i cili pikërisht pse kemi vuajtur si popull dëshiron të vizitojë tokën tonë e nga ana tjetër “valëvitet” portreti i qoftëlargut! 

Pavarësisht kontributit që ai mund të ketë pasur në Luftën e Nacional-Çlirimtare, meritat mund t’i shkojnë çdo ushtari tjetër, pjesëmarrës në këtë Luftë, por vetëm atij jo, sepse atë që mund të ketë bërë mirë për vendin e tij për 5 vjet, qëllimisht e shkatërroi dhe e fundosi në 50 vitet e ardhshme, duke vrarë, prerë, pushkatuar dhe izoluar një popull me histori e kulturë ndër më të lashtat në Ballkan.

Skenat e adhurimit të një ish diktatori nuk na duhen hiç!

Nëse nostalgjikët ndjejnë mall për diktatorin le ta përjetojnë në skutat e shpirtit të tyre. Shqiptarët europianë nuk kanë nevojë për kujtime të tilla, ndjesi që vrasin shpirtin e mijëra familjarëve të të persekutuarve dhe të pushkatuarve. Ne duam mesazhe tolerance, harmonie fetare e njerëzore mes njëri-tjetrit e më bukur se vizita e Papa Françeskut askush tjetër nuk mund të na e dhurojë, prandaj le ta mirëpresim Atin e Shenjtë në tokën tonë e të mblidhemi të gjithë së bashku të dielën në sheshin “Nënë Tereza”.

Koha Jone – Shtator 2014

SHKARKO APP